Publikohet video e re e grabitjes së bankës në Prishtinë

  • E. /
  • 20 November 2020 - 14:58
Publikohet video e re e grabitjes së bankës në Prishtinë

Një filial i një banke, në Rrugën B, ka qenë cak i hajdutëve në mëngjesin e sotëm. Grabitjen ata e kanë kryer duke përdorur eksploziv. Media ju sjell pamje se si ndodhi e gjithë grabitja.

Detaje rreth këtij rasti ka dhënë zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

Borovci ka thënë se grabitja është realizuar duke dëmtuar bankomatin e bankës me një mjet shpërthyes.

Sipas tij, të dyshuarit në ikje e sipër kanë shtënë me armë zjarri edhe në drejtim të rojës.

“Mbështetur në rezultatet e para të grupit hetimor që po zhvillon hetimet lidhur me rastin në fjalë, dyshohet se një grabitje është realizuar duke dëmtuar një bankomat të një banke, me një mjet shpërthyes (eksploziv), nga disa persona të dyshuar të cilët në ikje e sipër kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të një personi (roje)”, ka thënë Borovci.

Nga Policia kanë thënë se s’ka të lënduar nga ky rast dhe se po punojnë për të identifikuar dhe arrestuar personat e dyshuar.

“Nuk ka persona të lënduar. Derisa ekzaminimi po vazhdon në vendngjarje, hetuesit policorë janë duke punuar në identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar”, ka deklaruar Borovci.

Pas kësaj grabitje, ka reaguar edhe Shoqata e Bankave të Kosovës, duke thënë se gjendja e sigurisë në vend për bizneset dhe në veçanti për sektorin bankar është alarmues dhe po përkeqësohet në vazhdimësi

“Sektori bankar dënon këtë akt të ligë të kryer nga grupe kriminale të cilat nuk hezitojnë aspak që të përdorin mjete eksplozive dhe armë zjarri për të arritur qëllimet e tyre, qoftë edhe në lagjet dhe rrugët më të frekuentuara të kryeqytetit. Kjo gjendje e sigurisë është e papranueshme, si për sektorin bankar ashtu edhe për komunitetin e bizneseve dhe për shoqërinë tone”, thuhet  në komunikatë.

Nga kjo shoqatë i kanë bërë thirrje ekzekutivit dhe institucioneve të sigurisë që të veprojnë me shpejtësi dhe vendosmëri kundë këtyre grupeve.

“I bëjmë thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe institucioneve të sigurisë që të veprojnë me shpejtësi dhe vendosmëri kundër këtyre grupeve të cilat kanë shpeshtuar sulmet dhe kanë rritur intensitetin dëmeve dhe shkallën e rrezikut për jetën dhe pronën. Shoqëria jonë nuk duhet të toleroj që të humbet siguria në vend dhe të terrorizohen bizneset dhe qytetarët nga banda kriminale kudo në Kosovë”, thuhet tutje në komunikatë.

(Kosova Sot Online)