HANDIKOS lanson kampanjën vetëdijësuese për qasjen nëpër shkolla

  • E. /
  • 24 November 2020 - 12:23
HANDIKOS lanson kampanjën vetëdijësuese për qasjen nëpër shkolla

‘’School Opens the World- Shkolla hap dyert e botës’’, kjo është motoja me të cilën HANDIKOS sot ka lansuar kampanjën që synon promovimin e përfshirjes së fëmijëve me aftësi të kufizuara në edukimin e rregullt në Kosovë.

HANDIKOS, në kuadër të projektit ‘’Avancimi i Situatës së Fëmijëve me Aftësi të Kufizuara në Kosovë’’, i mbështetur nga Zyra e UNICEF-it në Kosovë për 16 ditë do të promovojë kampanjën vetëdijësuese që target ka Ministrinë e Arsimit, Drejtoritë e Arsimit nëpër komuna dhe mbarë shoqërinë, në mënyrë që fëmijëve me aftësi të kufizuara t’u ofrohen kushte të barabarta infrastrukturore për ndjekjen e mësimit të rregullt nëpër shkolla.

Përgjatë nëntë ditëve të para të kampanjës, HANDIKOS do të lansojë nëntë video vetëdijësuese, ndërsa më 3 dhjetor, kur edhe shënohet Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuara,  pritet të vendoset një instalacion në sheshin e Prishtinës.

HANDIKOS u bën thirrje të gjithë akterëve dhe qytetarëve që  përgjatë kësaj periudhe të vizitojnë faqet tona zyrtare nëpër rrjete sociale dhe të ndjekin televizionet lokale, në mënyrë që të kuptojnë më shumë rreth qëllimit të kampanjës deri në fund.

(Kosova Sot Online)