Nënat azere presin në ankth lajme për ushtarët e zhdukur gjatë luftimeve

  • E. /
  • 26 November 2020 - 11:32
Nënat azere presin në ankth lajme për ushtarët e zhdukur gjatë luftimeve

Dy javë pas armëpushimit të ndërmjetësuar nga Rusia dhe pas shkëmbimit të trupave të të vrarëve gjatë konfliktit në Nagorno-Karabak, familjet e ushtarëve të zhdukur azerë po presin në ankth ndonjë lajm për më të dashurit e tyre.

“Ministria e Mbrojtjes më tha se ai nuk ishte në mesin e të lënduarve”, tha një i afërm i ushtarit 21 vjeç, Yahya Abdinov, nga qyteti lindor azer, Shirvan.

Dyshohet se gjatë luftimeve ka gjasë të jenë vrarë mijëra ushtarë azerë, por askush jashtë pozitave të pushtetit nuk di asgjë për shkak se shifrat e të vrarëve nuk publikohen nga qeveria e Azerbajxhanit.

“Secili thotë gjëra të ndryshme. Një person thotë se ai (ushtari) është gjallë, dikush tjetër thotë se ai është diku ku nuk ka rrjet telefonik, prandaj nuk mund të thërrasë. Jemi të humbur. S’po mund të marrim informata të sakta”, shtoi Saday Tagiyev.

Familjarët e ushtarëve duke pritur para një spitali

Qeveria e presidentit Ilham Aliyev hesht për shifrën e të vrarëve nga konflikti që zgjati gjashtë javë. Zyrtarët gjithashtu i refuzojnë pyetjet e gazetarëve për rastet specifike, shkruan Free Europe.

Për këtë arsye, prindërit dhe të afërmit rregullisht presin para spitaleve në kryeqytetin Baku. Disa thonë se Ministria e Brendshme i fsheh informatat dhe bën thirrje për durim.

Ky problem është më i vogël në Armeni, ku zyrtarët kanë raportuar për mbi 2.400 të vrarë në luftime dhe qindra të tjerë të zhdukur ose që nuk janë identifikuar ende.

(Kosova Sot Online)