Marrëveshja e djallit: Polonia e Hungaria bëjnë pakt për bllokimin e buxhetit të BE-së

  • G.g /
  • 27 November 2020 - 13:42
Marrëveshja e djallit: Polonia e Hungaria bëjnë pakt për bllokimin e buxhetit të BE-së

Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki, dhe homologu i tij hungarez, Viktor Orban, kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët me të cilën u zotuan për përkrahje të njëri-tjetrit për bllokimin e buxhetit të Bashkimit Evropian dhe fondit të madh për pandeminë.

Këto dy vende anëtare të BE-së e kanë kushtëzuar miratimin e buxhetit me largimin e mekanizmit që qasjen në fondet e BE-së e lidh me zbatimin e ligjit nga vendet anëtare.

Në deklaratë, dy kryeministrat pretenduan se ky mekanizëm zbaton definicione të paqarta dhe terme me shumë kuptime, pa kritere të qarta në të cilat do të mbështeteshin sanksionet, shkruan Free Europe.

Hungaria dhe Polonia janë duke u hetuar nga Bashkimi Evropian për rrezikimin e pavarësisë së sistemit të drejtësisë, medieve dhe organizatave joqeveritare. Për këtë arsye, këto shtete rrezikojnë që të mbesin pa qasje në miliarda euro.

“As Polonia, as Hungaria nuk do të pranojnë asnjë propozim që vlerësohet si i papranueshëm për palën tjetër”, thuhet në tekstin e deklaratës së nënshkruar nga dy kryeministrat.

Refuzimi i Polonisë dhe Hungarisë për ta votuar planin e BE-së për shpenzime për periudhën 2021-2027 pritet të shkaktojë vonesë të konsiderueshme për zbatimin e planit prej 1.8 trilion eurove.

Kundërshtimi i këtyre shteteve i ka zemëruar vendet tjera anëtare të BE-së, të cilat po i presin fondet nga pakoja për rimëkëmbje, e cila do t’i ndihmonte ekonomitë e goditura rëndë nga pandemia.

(Kosova Sot Online)