Kush është Malcolm Simmons, zyrtari që do t’i publikojë abuzimet e EULEX në Kosovë?

  • G.g /
  • 27 November 2020 - 13:48
Kush është Malcolm Simmons, zyrtari që do t’i publikojë abuzimet e EULEX në Kosovë?

Ish-kryetari i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons do të raportojë para Komisionit Parlamentar për Legjislacion, Mandate dhe Imunitete, lidhur me pretendimet e tij për parregullsi dhe abuzime të misionit së EULEX-it në Kosovë.

Sot, shkresën e dërguar para 5 muajve, komisioni ia ka kthyer pozitivisht gjatë mbledhjes, me kërkesë të deputetes së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi.

Kjo u përkrahë nga të gjithë anëtarët e komisionit, përveç atyre të Lidhjes Demokratike të Kosovës që u deklaruan kundër raportimit në çfarëdo trupe të Kuvendit të ish-gjyqtarit Simmons.

Pavarësisht qëndrimit të LDK-së, ky propozim ka kaluar me shumicë të votave.

Por, kush është Malcolm Simmons?

Malcolm Simmons, ish-kryetar i gjykatësve në EULEX kishte dhënë dorëheqje nga ky institucion duke akuzuar EULEX-in dhe BE-në për korrupsion.

Simmons, në një intervistë për gazetën franceze “Le Monde” kishte thënë se EULEX-i dëshironte ta rrëzonte një pjesë të klasës politike kosovare”.

“EULEX-i nuk është një mision që synon promovimin e shtetit ligjor. Është një mision politik. Kushdo që e mendon të kundërtën është ose naiv ose i marrë”, citon Le Monde, gjykatësin Simmons, i cili thotë se “EULEX-i dëshironte ta rrëzonte një pjesë të klasës politike kosovare“, kishte deklaruar Simmons.

I menjëhershëm kishte qenë reagimi i misionit të EULEX në Kosovë.

Zyrtarë të këtij misioni në një deklaratë për medie, kishin thënë se ata janë duke hetuar pretendimet e gjykatësit britanik Simmons, i cili sipas tyre, është po ashtu nën hetime, për të njëjtat pretendime të ngritura kundër tij.

“Përgjatë vitit të kaluar, Malcolm Simmons, ka qenë objekt i disa hetimeve të pavarura në lidhje me disa pretendime të rënda kundër tij. Këto hetime janë duke u bërë nga një ekip, i cili është krijuar dhe që ndodhet në Bruksel, i kryesuar nga një ish-gjyqtar i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë. Këto pretendime janë në faza të ndryshme të hetimeve, kurse disa prej tyre janë dërguar në një Bord Disiplinor dhe tani janë në pritje të vendimit të këtij Bordi. Të tjerat janë në vijim e sipër“, thuhej në deklaratën e misionit EULEX për hetimet kundër ish-gjyqtarit Simmons.

Dyshimet për biografinë e gjyqtarit Simmons

Sipas një hulumtimi të publikuar në faqen e Koalicionit për Mbrojtjen e Sinjalizuesve në Evropën Juglindore, thuhet se Simmons nuk ka qenë asnjëherë i angazhuar si gjykatës në Angli apo Uells, duke shkelur kështu rregulloren e OKB-së që kërkon përvojë 5 vjeçare në vendet e tyre, para se të dërgohen në Kosovë.

Madje Simmons akuzohet se nuk ka qenë kurrë i regjistruar as si avokat.

Të dhëna të tilla i kishte pohuar Bordi i Standardeve të Barit në Mbretërinë e Bashkuar.

Ai u certifikua si avokat praktikant në nëntor të vitit 1992, por ky certifikim i tij u mbyll në vitin 2000.

Brenda sistemit të Mbretërisë së Bashkuar, avokatët në praktikë zakonisht shpenzojnë pak kohë në sallën e gjyqit dhe janë më pak të kualifikuar sesa avokatët normal, të cilët kanë privilegjin për të argumentuar çështjet në gjykatë.

Simmons dyshohet se mashtroi me doktoraturë false

Malcolm Simmons akuzohet gjithashtu se ka mashtruar për vite të tëra duke paraqitur doktoraturën nga një Universitet që është mbyllur për shkak se ka shitur diploma false.

Insitutucioni zyrtar i Arsimit të Lartë në Mbretërinë e Bashkuar për verfikimin e diplomave dhe të Universiteteve (HEED), i kishte konfirmuar se diplomat e “FairFax University” nuk vlejnë në sistemin e Britanisë si diploma të cilat mund të përdoren për ndonjë gradim në karrierë.

“Universiteti FairFax nuk është i akredituar si i tillë, e as diplomat nga ky Universitet nuk janë të akredituara e as nuk mund të merren për bazë për ngritje në karrierë. Diplomat nga ky universitet janë ‘diploma mill’”, thuhet në komunikatën e HEED.

Pa asnjë ditë përvoje në vendin e tij, Simmons kishte ardhur si gjykatës në Bosnje dhe Kosovë

Në vitin 2006, Simmons u emërua gjyqtarë në një gjykatë të Krimeve të Luftës në Bosnje dhe në një Gjykatë për Krime dhe Korrupsion.

Megjithëse nuk kishte përvojë paraprake si gjyqtarë në Britani të Madhe, Simmons u quajt “gjykatës ndërkombëtar” në dokumentin e emërimit të nënshkruar me 5 maj 2006 nga Përfaqësuesi i Lartë i atëhershëm për Bosnje dhe Hercegovinë, Christian Schvarz-Schilling.

Pas përfundimit të mandatit të tij në Bosnje në vitin 2008, Zyra e Jashtme e Britanisë e kishte dërguar Simmons në EULEX, ku u promovua si President i Gjyqtarëve në vitin 2014.

Të dhënat e gjykatës boshnjake kishin treguar se Simmons e identifikoi veten me titullin akademik “DR” të cilin ai e hoqi pas shkuarjes në Kosovë.

As EULEX e as Zyra e Jashtme nuk e kishin konfirmuar nëse Simmons mori një diplomë të tillë dhe nëse po, në cilin Universitet.

Roli i Simmons në disa raste të profilit të lartë kishte ngjallë reagime dhe kritika.

Këtu përfshihen rastet sikurse ai i Hasan Çengiq, ish-zëvendës ministër i Mbrojtjes në Federatën e Bosnjës dhe Hercegovinës, i cili u lirua nga të gjitha akuzat për shpërdorim të detyrës në vitin 2005.

Simmons gjithashtu kishte kryesuar në Bosnje, rastin e Ziajd Poljo, i cili u akuzua për shmangien e taksave për  800 milion euro.

Edhe pse një nga të akuzuarit në këtë rast u shpall fajtor, Poljo nuk u gjykua pasi gjykimi u shty për shkak të pengesave administrative.

Në vitin 2005, Simmons kishte shërbyer si kryetar i një kolegji prej tre gjyqtarësh që dënuan Ante Jelaviç, ish-kryetaren e Presidencës së Bosnje dhe Herzegovinës. Jelaviq u shpall fajtor për shpërdorimin e detyrës dhe u dënua me 10 vjet burg.

Dënimi u hodh poshtë një vit më vonë për shkak të shkeljeve të procedurave penale në shkallën e parë.

Performanca e Simmonsit ishte kritikuar nga Meddzida Kreso, atëherë kryetare e Gjykatës së Bosnjës e cila kundërshtoi haptas zgjatjen e mandatit të Simmons në vitin 2006.

“Kemi dëgjuar se një nga gjyqtarët nuk ka qenë kurrë gjykatës në vendin e tij. Ai nuk e din as Ligjin e vendit të tij e lërë më të Bosnjës”, kishte thënë ajo.

(Kosova Sot Online)