Nderohen edhe dëshmorët e Gllogjanit, inaugurohen dy lapidarë

  • G.g /
  • 28 November 2020 - 13:05
Nderohen edhe dëshmorët e Gllogjanit, inaugurohen dy lapidarë

Në nderim të 28 Nëntorit “Ditës së Flamurit”, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK),  Ramush Haradinaj, i shoqëruar edhe nga kryetari i Komunës së Deçanit Bashkim Ramosaj, kanë bërë homazhe në kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Gllogjan.

Paraprakisht ata kanë marrë pjesë në inagurimin e dy lapidarëve kushtuar dëshmorëve dhe martirëve të Komunës së Deçanit në fshatin Isniq dhe Carrabreg të Ulët.

Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, tha se po nderojnë dëshmorët dhe heronjtë e kombit, derisa ka uruar festën e flamurit.

“Jemi sot të nderuar që nderojmë bashkë edhe pse në kushte pandemie. Ju faleminderit të gjithëve për kujdesin pra për nderim jo vetëm këtu në Gllogjan, po në Deçan, Isniq, e çdo kund ku pushojnë heronjtë, ku pushojnë çlirimtarët, liridashësit. Gëzuar festa e flamurit e të bashkuar qofshim gjithmonë”, tha ai.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Deçanit Bashkim Ramosaj, tha se e kanë zgjedhur 28 Nëntorin për inaugurimin e dy lapidarëve duke e ditur rëndësinë e kësaj date për shqiptarët.

“Ditë më parë ku kemi filluar punimet në kompleksin memorial edhe në Isniq edhe në Carrabregun e Poshtëm që i kushtohet dëshmorëve dhe martirëve të kombit. Po ashtu gjatë diskutimit që kemi pasur kemi vendosur që data 28 Nëntor për hir të nderimit për dëtë datë që është shumë e rëndësishme për popullin shqiptar t’i inaugurojmë këto dy lapidare. Në ndërkohë ka qenë vendim i joni që të bëjmë homazhe edhe pse organizim i reduktuar me nderu edhe në Kompleksin e Dëshmorëve të kombit në Gllogjan, ku prehen thuajse të gjithë heronjtë dhe dëshmorët e kombit e që bëjnë pjesë nga Komuna e Deçanit…E kemi për detyrë në këto data të rëndësishme të tregojmë identitetin tonë, të kaluarën tonë, së paku ta kujtojmë apo ta nderojmë në këto mënyra edhe pse është pandemi”, tha ai.

Haradinaj në homazhe është shoqëruar nga ministri i Drejtësisë Selim Selimi, ai i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj, si dhe deputetë të kësaj ane.

(Kosova Sot Online)