Lexoni edhe:
Armend Zemaj në Ditën Botërore të AIDS: Testet falas janë në dispozicion nga institucionet shëndetësore
Gjykata Speciale beson se gjatë luftës në Kosovë, ish-udhëheqësit politikë e ushtarakë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) i kanë konsideruar si kundërshtarë të tyre katolikët në Kosovë.
Në vendimin për konfirmimin e aktakuzës kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit të publikuar të hënën, pretendohet se katolikët në Kosovë ishin përceptuar si kundërshtarë të UÇK-së gjatë viteve 1998 dhe 1999.
“Ata që perceptohen si kundërshtarë të UÇK-së përfshinin: (i) popullsinë serbe, rome dhe ashkali; (ii) katolikë; (iii) civilë që dyshohet se bashkëpunojnë me autoritetet serbe ose pretendohet se ndërveprojnë me serbët; (iv) Shqiptarët e lidhur ose mbështesin LDK-në ose partitë e tjera të perceptuara si anti-UÇK; (v) Shqiptarët që nuk janë bashkuar ose nuk e mbështesin UÇK-në; dhe (vi) individë me punësim aktual ose të mëparshëm të perceptuar si anti-UÇK (kolektivisht, “Kundërshtarët”)”, thuhet në këtë vendim.
Sipas këtij vendimi, ish-krerët e UÇK-së përmes deklaratave publike, mes tjerëve, u bënin presion katolikëve, duke ndikuar në familjet e tyre.
“Për më tepër, deklaratat publike të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe deklaratat personale të të dyshuarve tregonin qartë se veprimet e dhunës dhe keqtrajtimi ishin një paralajmërim për të gjithë kundërshtarët e tjerë, duke synuar dhe ushtruar presion mbi familjet dhe komunitetet e kundërshtarëve. Për më tepër, anëtarët e UÇK-së në mënyrë të përsëritur nuk pranuan të japin informacion të saktë në lidhje me ndalimin dhe vendndodhjen e kundërshtarëve, duke ndikuar më tej në familjet dhe komunitetet e tyre. Numër i madh dhe kategori të ndryshme të njerëzve të shënjestruar tregojnë se sulmi ishte në të vërtetë i drejtuar kundër një segmenti të rëndësishëm të Kosovës popullsia civile”, thuhet në vendimin e gjykatësit Nicolas Guillou për kornfirmimin e aktakuzës.
Kur ishte publikuar njoftimi i parë për aktakuzën ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit pas arrestimit të tyre dhe dërgimit në paraburgim, ish-udhëheqës politikë e ushtarakë të UÇK-së nga besimi katolikë kishin reaguar duke i hedhur poshtë këto akuza. Po kështu, kishte reagim edhe nga besimtarët katolikë që s’kishin qenë në UÇK gjatë luftës, të cilët i konsideronin si fyerje ndaj tyre këto akuza.
Vendimi për konfirmim të aktakuzës, sipas dokumentit është marrë më 26 tetor të këtij viti, ndërsa është publikuar vetëm mbrëmë.
Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi ishin arrestuar dhe dërguar në Hagë në fillim të nëntortorit. Aktakuza ndaj tyre është e përpiluar në 236 faqe.
Ndër të tjera, në pikat e aktakuzës, ndaj tyre rëndojnë akuza për krime, vrasje, tortura në lokacione si Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Volljakë, Drenoc, Malishevë, Bajgorë, Llapashticë, Majac, Zllash dhe të tjera.
(Kosova Sot Online)