Albulena Haxhiu: Serbia anjëherë nuk kërkoi falje dhe kriminelet janë ende të lirë, kurse mbi 1600 persona janë të pagjetur

  • E. /
  • 09 December 2020 - 11:59
Albulena Haxhiu: Serbia anjëherë nuk kërkoi falje dhe kriminelet janë ende të lirë, kurse mbi 1600 persona janë të pagjetur

Anëtarja e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka përkujtuar gjenocidin serb gjatë luftës së fundit në Kosovë, si dhe 1600 personat që rezultojnë të zhdukur qysh nga viti 1999 në Kosovë.

“Sot, në ditën ndërkombëtare të përkujtimit të viktimave të gjenocidit, kujtojmë edhe njëherë gjenocidin serb në Kosovë, mijëra të vrarë e të masakruar, të dhunuar, të dëbuar, e të pagjetur. Serbia asnjëherë nuk u distancua nga krimet gjenocidale, asnjëherë nuk kërkoi falje dhe kriminelet janë ende të lirë, kurse mbi 1600 persona janë të pagjetur”, ka shkruar ajo në një postim në rrjetin social “Facebook”.

Haxhiu ka thënë që 21 vite pas luftës Kosova nuk ka bërë asgjë për të kërkuar përgjegjësi nga Serbia për gjenocidin që ka kryer në vend.

“Edhe sot, 21 vjet pas çlirimit, vijnë lajme për gjetjen e varrezave masive nëpër Serbi, kurse shteti i Kosovës nuk ka bërë asgjë për të kërkuar përgjegjësi nga Serbia, përkundrazi është Kosova ajo që po gjykohet. Sot, sidomos sot, duhet të theksojmë se çështja e të pagjeturve nuk është çështje e kryer. Kjo çështje asnjëherë nuk do të jetë e kryer, jo vetëm pse na mungojnë mbi 1600 të pagjetur, jo vetëm pse nuk është vendosur drejtësia në vend, por edhe sepse e vërteta e gjenocidit serb në Kosovë do të jetë përjetësisht e pashlyer”, ka thënë ajo.

Në ndërkohë për nder të Ditës ndërkombëtare të përkujtimit dhe nderimit të viktimave të krimeve të gjenocidit, si dhe parandalimi i këtij krimi, Kuvendi i Kosovës është duke mbajtur seancë.

(Kosova Sot Online)