Publikohet dëshmia e plotë e policit që vrau Klodjan Rashën

  • E. /
  • 11 December 2020 - 14:01
Publikohet dëshmia e plotë e policit që vrau Klodjan Rashën

Euronews Albania ka publikuar të plotë dëshminë e efektivit me iniciale N.H i cili vrau me armë zjarri 25-vjeçarin Klodjan Rasha, si dhe të kolegut të tij, efektivi me iniciale E.Gj.

Në dëshminë e tyre në komisariat, ata kanë treguar të gjithë dinamikën e ngjarjes sipas versioneve të tyre.

Efektivi me iniciale N.H ka deklaruar se fillimisht ka qëlluar drejt këmbëve të 25-vjeçarit dhe më pas ka qëlluar sërish. Ai ka dëshmuar se qitjen e dytë e ka kryer në një zonë të errët, ku më pas ka dëgjuar edhe një të bërtitur të 25-vjeçarit.

“Klodjan Rasha sapo na pa filloi të lëvizte. I thirra ‘ndal policia verifikim’, iku me vrap. Doja ta kontrolloja nëse kishte autorizim. I thirra sërish ‘ndal policia’ dhe po e ndiqja. Pashë që nxori diçka nga brezi dhe po e mbante në dorë. Duke vrapuar më tha ‘mos u afro ose do qëlloj’. Unë bërtita ‘armë’ që ta dëgjonte kolegu. Nxora armën dhe e kam mbajtur në dorë. Klodjan Rasha duke vrapuar u kthye sërish atje ku ishte. Isha rreth 25 metra afër tij dhe i thirra ‘ndal policia’.25-vjeçari u kthye dhe më drejtoi një send që mbante në dorë. U rrëzova në tokë, i shtrirë qëllova drejt këmbëve. Ai u fut në një zonë të errët dhe qëllova për së dyti. Dëgjova që bërtiti, kur e gjeta kishte shenja jete. Kolegu im njoftoi sallën, qëndrova në vendngjarje”, ka dëshmuar efektivi.

Ndërsa kolegu i tij është shprehur se mes efektivit dhe viktimës ka pasur edhe një përplasje fizike.

“Duke ndjekur të riun dëgjova shokun që thirri armë. U vura në ndjekje, kur iu afrova të riut më kërcënoi. I riu më tha ‘largohu ose të vrava’ dhe më shau. Pasi më foli dëgjova një zhurmë si mbushje arme. Nxora armën dhe i thashë ‘ndal policia’. I thashë të riut ‘mos bëj asnjë veprim ose do qëlloj’. Kolegu N.H., u përplas fizikisht me Klodjan Rashën. Pashë kolegun në tokë, pastaj dëgjova 2 të shtëna. Në orën 01:09 dëgjova në radio që po ndiqej një person. Efektivi N.H., më tha se qëlloi pasi u ndje i rrezikuar. Efektivi N.H., më tha se qëlloi drejt këmbëve. Dy efektivët nuk kanë pasur kamera trupi. Urdhërova kontrollin e zonës, u gjet një pistoletë. Grupi që gjeti pistoletë nuk kishin kamera trupi “, u shpreh ai.

Ditën e sotme Gjykata e Tiranës ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për efektivin me iniciale N.H.

Mësohet se prokurori i çështjes Ardian Braho ka kërkuar këtë masë, e cila është aprovuar edhe nga gjyqtarja Shefkie Demiraj.

(Kosova Sot Online)