Lexoni edhe:
Të akuzuarit e Speciales i dërgojnë kërkesat e para për ndihmë financiare, Selimi: Do t’i shqyrtojnë këtë javë
Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e mbajtur të hënën ka shqyrtuar pikat për rend të ditës për seancën e radhës.
Në këtë mbledhje në rend dite ishin disa pika të papërfunduara nga seancat e kaluara dhe përgatitja për seancën e re.
Pika kryesore e rendit të ditës të seancës ishte interpelanca me kryeministrin Avdullah Hoti, sipas kërkesës së deputetit Liburn Aliu, mbështetur edhe nga 6 deputetë të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje për çështjen “Përfshirja dhe ndarja e Liqenit të Ujmanit me Serbinë në dokumentin e zotimeve të 4 shtatorit 2020”.
Gjithashtu pjesë e rendit të ditës ishte edhe shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për deminim humanitar, shqyrtimi i Raportit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2019, shqyrtimi i Kërkesës së Fondit të Kursimeve Personale të Kosovës për miratimin e taksave vjetore për vitin 2020, shqyrtimi i Raportit Vjetor të Agjencisë Kundër Korrupsionit për vitin 2019, shqyrtimi i Raportit Vjetor i Komisionit për Ndihmë Shtetërorë për vitin 2019 dhe shqyrtimi i mocionit përmbajtjesor për shkarkimin e Bordit të RTK-së, të parashtruar nga 11 deputetë nga GP të LVV-së.
Po ashtu u shqyrtuan propozimet mbi nismën legjislative “Projektligji për plotësim ndryshimin e ligjit të ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 06/L-004 për presidentin e Republikës së Kosovës, nisma Legjislative “Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 06/L-082 për mbrojtjen e të dhënave personale”, konstatimi i përbërjes së Grupit të Miqësisë në mes të Kuvendit të së Kosovës dhe Parlamentit të Bangladeshit dhe propozimi i GP NISMA-AKR-6+ për zëvendësimin e anëtarit në delegacionin e Komisionit të përbashkët Parlamentar për Stabilizim-Asociim BE-Kosovë.
(Kosova Sot Online)