270 policë të Kosovës të infektuar me Covid-19
Qysh nga fillimi i pandemisë Covid-19, brenda Policisë së Kosovës janë regjistruar 1 mijë e 203 raste me këtë virus.
Sipas të dhënëve të Policisë së Kosovës, dhënë për express, si pasojë e pandemisë 12 persona e kanë humbur betejën me këtë virus.
Brenda PK-së, edhe 270 policë aktualisht janë në luftë me virusin.
“Nga fillimi i pandemisë e deri me 14.12.2020, numri i përgjithshëm i zyrtarëve, punonjës të PK-së të infektuar me Covid 19-të, është 1.203. Prej tyre janë shëruar 921 punonjës, fatkeqësisht 12 kanë humbur jetën, përderisa 270 janë aktiv me Covid-19”, thuhet në përgjigjet e PK-së.
Zyrtarë për informim në PK, për Express thanë se qysh nga fillimi i pandemisë kanë punuar konform detyrës dhe përgjegjësive ligjore.
“Policia e Kosovës (PK), referuar situatës dhe rrethanave të krijuara që nga paraqitja e pandemisë ka qenë e angazhuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore, të bazuara në vendimet e institucioneve të Kosovës dhe planit të gatishmërisë dhe reagimit kundër Coronavirus-it COVID-19. Policia e Kosovës të gjitha aktivitetet dhe masat e deritanishme i ka ndërmarrë në koordinim të plotë me të gjitha institucionet kompetente në fushën e shëndetësisë dhe institucioneve tjera relevante. Kujdes të veçantë i ka kushtuar aplikimit të masave mbrojtëse për qytetarët por edhe për vet zyrtarët policor, të cilët ballafaqohen me situata dhe raste të natyrave të ndryshme si reagues të parë”, thuhet më tutje në përgjigje.
Në ndërkohë për gjendjen me pandeminë Covid-19 si dhe për situatën brenda PK-së, në Komisionin për Çështje të Sigurisë ka raportuar edhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të Policisë, Samedin Mehmeti.
(Kosova Sot Online)