Lexoni edhe:
Ivica Daçiq për Vjosa Osmanin: Është 10 herë më e zezë se Vlora Çitaku
Me arrestimin e Hashim Thaçit nga Specialja, Kosova nuk ka mbetur vetëm pa të parin e shtetit. Për pak muaj në Kosovë, me ushtrues detyre ka mbetur edhe Qeveria derisa në rast se shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme, edhe Kuvendi do të mbetet me ushtrues detyre.
Ivica Daçiq për Vjosa Osmanin: Është 10 herë më e zezë se Vlora Çitaku Lexoni edhe:
Ka më shumë se një muaj prej kur ulësja më e rëndësishme e shtetit ka mbetur pa mandat të plotë por me ushtrues detyre.
Arrestimi i ish-presidentit Hashim Thaçi nga Specialja ia ka kaluar mandatin e të parit të shtetit si ushtrues detyre kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmanit.
Veç gjashtë muaj në këtë pozitë mund të qëndrojë Osmani derisa tashmë me rrëzimin e Qeverisë dhe pritjen e shpalljes së zgjedhjeve të reja, presidenti i ri duhet të zgjidhet menjëherë pas konstituimit të Kuvendit e votimit të Qeverisë.
Me kryeministër në detyrë
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese e ka lënë vendin me Qeveri në detyrë. Kushtetuesja në vendimin ku u interpretua vota e deputetit Etem Arifi në seancën ku Avdullah Hoti u emërua kryeministër, ka vendosur që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Këto zgjedhje duhet që të mbahen brenda 40 ditësh e deri atëherë Kosova do të ketë kryeministër në detyrë.
Avdullah Hoti në këtë pozitë do të udhëheq shtetin deri në konstittuimin e institucioneve të reja të vendit pas mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Kryetarja e Kuvendit në detyrë
U.d e presidentit, Vjosa Osmani sot i përfundon takimet me përfaqësues të partive politike në vend. Me të njejtit, Osmani ka dy ditë që është duke diskutuar për datën e mbajtjes së zgjedhjeve të reja.
Kryetarja e Kuvendit ende nuk e ka komentuar thirrjen e Hotit që të votohet buxheti para se të shpallen zgjedhjet.
Është bërë e ditur se këtë vendim Osmani e merr pasi që të shihet vullneti i të gjitha subjekteve.
Kurdo që të ndodhë një gjë e tillë, edhe pozita e shefit të legjislativit do të mbetet me ushtrues detyre. Osmani do të jetë u.d e kryetarit të Kuvendit deri në konstituimin e legjislaturës së re.
Pa shef të AKI-së
Pak ditë para se Kushtetuesja të vendos për zgjedhjet e jashtëzakonshme, kryeministri tash në detyrë, Avdullah Hoti së bashku me u.d të presidentit, Vjosa Osmanin e shkarkuan nga detyra shefin e AKI-së, Kreshnik Gashin.
Lajmi u bë i ditur nga të dy institucionet përmes njoftimeve për media.
Institucioni më i lartë i sigurisë në vend është duke qëndruar pa drejtor që nga data 17 dhjetor.
Ligji thotë se presidenti i Republikës së bashku me kryeministrin emërojnë shefin e ri të AKI-së brenda 20 ditësh prej kur kjo pozitë mbetet e lirë.
“Presidenti i Republikës së Kosovës së bashku me Kryeministrin, emërojnë së bashku Drejtorin e AKI brenda njëzet (20) ditësh pune nga dita kur pozita mbetet e lirë”.
Rrjedhimisht, Osmani dhe Hoti kanë kohë deri në ditët e para të janarit që ta bëjnë një gjë të tillë.
Policia e Kosovës me ushtrues detyre të drejtorit
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti muaj më parë kishte marrë vendim për shkarkimin e drejtorit të policisë, atë kohë Rashit Qalajt.
Në vend të Qalajt pas shkarkimit është vendosur si ushtrues detyre i drejtorit Samedin Mehmeti.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka marr vendim dy javë më parë për t’ia ndaluar Qeverisë së Kosovës të vazhdoj procedurat për zgjedhjen e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës.
Një vendim të tillë, gjykata e ka marrë pasi që ka aprovuar si të bazuar propozimin për caktim të masës së sigurisë që ishte propozuar nga ish-drejtori i Policisë, Rashit Qalaj.
Rrjedhimisht, Policia e Kosovës pritet që për një kohë të funksionojë me ushtrues të detyrës.
(Kosova Sot Online)