Britania dhe BE-ja pranë arritjes së marrëveshjes tregtare

  • E. /
  • 24 December 2020 - 10:33
 Britania dhe BE-ja pranë arritjes së marrëveshjes tregtare

Bashkimi Evropian dhe Britania e Madhe i janë afruar arritjes së marrëveshjes për tregtinë pas Brexit-it, duke ofruar shpresë se kaosi i mundshëm ekonomik në prag të Vitit të Ri do të shmanget.

Pas zgjidhjes së mosmarrëveshjes për disa çështje rreth konkurrencës së drejtë, pjesëmarrësit në bisedime u përplasën për të drejtat e BE-së për peshkim në ujërat britanike, shkruan Associated Press.

Burime nga të dyja palët thanë se bisedimet e gjata dhe të vështira janë në fazën përfundimtare. Bisedimet vazhduan edhe gjatë natës së kaluar dhe pjesëmarrësve iu dërguan pica përderisa po e vazhdonin punën për arritjen e marrëveshjes që pritet të shtypet në rreth 2.000 faqe.

Kryeministri britanik, Boris Johnson, mbajti një konferencë për kabinetin e tij për t’i njoftuar anëtarët e lartë të qeverisë për pikat e marrëveshjes para njoftimit zyrtar që pritet të jepet më vonë të enjten.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pritet që së bashku me kryeministrin britanik ta japë lajmin për arritjen e marrëveshjes para se pakti të dërgohen në 27 kryeqytetet e BE-së dhe në kuvendin britanik e në Parlamentin Evropian për miratim.

Pavarësisht zhvillimeve, shkëmbimi tregtar mes Britanisë dhe BE-së do të zhvillohet me kontrolle doganore nga 1 janari, kur Britania do të largohet nga tregu i përbashkët i BE-së.

(Kosova Sot Online)