Sami Lushtaku: Jo koalicion me Nismën, po me Vetëvendosjen, pa Albin Kurtin

  • G.g /
  • 30 December 2020 - 13:55
Sami Lushtaku: Jo koalicion me Nismën, po me Vetëvendosjen, pa Albin Kurtin

Partia Demokratike e Kosovës, e ka përjashtuar mundësinë e koalicionit parazgjedhor me Lëvizjen Vetëvendosje, dhe Nismën Socialdemokrate.

Kjo për arsye se kjo parti ka vendosur të garojë e vetme në zgjedhjet e ardhshme.

Kështu, ka thënë, nënkryetari i PDK-së, Sami Lushtaku.

Ndërsa, i është kundërpërgjigjur Lëvizjes Vetëvendosje, pasi që këta të fundit kanë deklaruar se hyjnë në koalicion me PDK-në vetëm nëse Hashim Thaçi e Kadri Veseli nuk janë më në këtë parti.

Lushtaku ka deklaruar se PDK bën koalicion me VV-në, vetëm nëse Albin Kurti, nuk është në krye të saj.

“Partia Demokratike ka vendosur që të shkojë e vetme në zgjedhje. Unë së paku me opinionin që e kam jo. Unë nuk mundem me thënë për momentin asgjë, ata kanë thënë se nëse nuk është Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli ne kemi mundësi me bë koalicion, edhe ne i themi Vetëvendosjes pa Albin Kurtin edhe ne jemi të gatshëm me hy me Vetëvendosjen”, ka thënë Lushtaku për Front Online.

Ndërsa, gjatë ditës se djeshme kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka deklaruar se janë në pritje të PDK-së për koalicion parazgjedhor.

E, Lushtaku duke iu përgjigjur Limajt, ka mohuar se do të ketë koalicion parazgjedhor me ta.

“Nuk ka qenë disponimi vetëm për Nismën, por ka qenë për të gjitha partitë politike, do të thotë është një opinion që ne duhet me garu të vetëm dhe ata na kanë dhënë shumë arsye pse duhet më garu vetëm kësaj radhe. Kështu që nuk mund të jap më shumë detaje”, është shprehur Lushtaku.

Ndërsa, për koalicione pas zgjedhjeve, Lushtaku ka thënë se varet prej situatës që do të krijohet.

“Atëherë mbetet me u pa, unë besoj që asnjë Qeveri në Kosovë nuk ka mundësi me kriju vet Qeverinë, pra varet prej situatës çfarë krijohet”, ka shtuar ai.

Gjykata Kushtetuese ka nxjerr aktgjykim pro kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje për shpalljen të pavlefshëm votimin në Kuvendin e Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë Hoti më 3 qershor, pasi për këtë qeveri kishte votuar edhe deputeti Etem Arifi, i cili kishte një aktgjykim përfundimtar nga Gjykata e Apelit.

Gjykata Kushtetuese ka hedhur poshtë votën e deputetit Etem Arifi dhe ka urdhëruar u.d presidenten Vjosa Osmani, që të shpallë zgjedhjet e parakohshme në afat prej 40 ditësh.

(Kosova Sot Online)