Babai i Johnsonit aplikon për pasaportë të Francës, kishte votuar kundër Brexit-it

  • G.g /
  • 31 December 2020 - 11:59
Babai i Johnsonit aplikon për pasaportë të Francës, kishte votuar kundër Brexit-it

Babai i kryeministrit Boris Johnson të Britanisë së Madhe, Stanley Johnson, tha të enjten se është në procesin e aplikimit për pasaportë franceze me qëllim që t’i ruajë lidhjet me Bashkimin Evropian pas Brexit-it.

Ish-deputeti i Parlamentit Evropian, i cili kishte votuar kundër largimit të Britanisë nga BE-ja në referendumin e vitit 2016, i tha Radios RTL se dëshiron të bëhet qytetar francez për shkak të lidhjeve të fuqishme familjare me Francën.

“Nëse e kuptoj në mënyrë korrekte, unë jam francez. Nëna ime është lindur në Francë, nëna e saj ka qenë tërësisht franceze, njësoj si gjyshja e saj. Prandaj, për mua është rimarrje e asaj që tashmë e kam dhe kjo më bën shumë të lumtur”, tha burri 80 vjeç në gjuhën frënge.

“Unë gjithmonë do të jem evropian, kjo është e sigurt. Nuk mund t’u thuhet britanikëve “ju nuk jeni evropianë”. Mbajtja e lidhjes me Bashkimin Evropian është i rëndësishëm”, shtoi ai.

Sidoqoftë, i biri i tij, Boris Johnson, para referendumit të vitit 2016 kishte lobuar për ta votuar largimin e Britanisë nga BE-ja, duke e cilësuar bllokun si shumë burokratik.

Ndryshe, Britania e Madhe zyrtarisht dhe përfundimisht do të largohet nga Bashkimi Evropian në mbrëmjen e së enjtes, pas 48 vjetëve të qëndrimit në bllokun me 27 shtete anëtare.

(Kosova Sot Online)