Spanjë: Dy të vdekur nga stuhia e borës, ushtria u del në ndihmë vozitësve të bllokuar

  • E. /
  • 09 January 2021 - 12:50
Spanjë: Dy të vdekur nga stuhia e borës, ushtria u del në ndihmë vozitësve të bllokuar

Dy persona kanë vdekur nga stuhia Filomena në Spanjë, ndërsa trupat ushtarake janë angazhuar për t’i shpëtuar vozitësit e bllokuar nga bora. Kryeqyteti Madrid shënoi reshje rekorde të borës në dekadat e fundit.

Aeroporti i këtij qyteti është mbyllur, ndërsa një ndër rrugët kryesore, Gran Via, e cila zakonisht është shumë e ngarkuar me vetura, tani po shfrytëzohet si pistë skijimi nga skitarët, shkruan Reuters.

“T’i shmangim udhëtimet dhe t’i ndjekim udhëzimet e shërbimeve emergjente. Të jemi jashtëzakonisht të kujdesshmë para stuhisë Filomena”, shkroi në rrjetet sociale kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez.

Agjencia Shtetërore e Meteorologjisë tha se kjo është bora më e madhe që ka rënë në Madrid që nga viti 1971. Sidoqoftë, një meteorolog i Radios Kombëtare Spanjolle, i quajtur Jose Miguel Vinas, tha se në Madrid ka rënë borë në trashësi prej 25 deri 50 centimetrash, duke i bërë këto reshjet më të mëdha në Madrid që nga viti 1963.

Njësiti për Emergjenca Ushtarake i angazhoi 147 ushtarë për t’u dalë në ndihmë vozitësve të bllokuar në rrugët përreth Madridit. “Ne po vazhdojmë t’i shpëtojmë veturat në rrugët A4, A5, M40 dhe M607”, shkroi ky njësit në rrjetet sociale.

Shefi i shërbimeve emergjente për rajonin e Madridit, Carlos Novillo, u bëri thirrje njerëzve që të mos dalin me vetura. “Kemi punuar me intensitet. I kemi shpëtuar 1.000 vetura. Kërkojmë durim, do të vijmë te të gjithë ju”, tha ai.

(Kosova Sot Online)