
Koreja Veriore prezanton raketën e re balistike që lëshohet nga nëndetësja

Koreja Veriore ka prezantuar një lloj të ri të raketës balistike që lëshohet nga nëndetësja. Kjo raketë u prezantua gjatë një parade ushtarake, ndërsa mediet shtetërore e cilësuan atë si arma më e fuqishme në botë.
Parada ushtarake e shtetit komunist u mbajt pas një takimi të rrallë politik, në të cilin diktatori Kim Jong-un tha se Shtetet e Bashkuara janë armiku më i madh i Koresë Veriore, shkruan BBC.
Shfaqja e fuqisë ushtarake u bë vetëm pak ditë para inaugurimit të presidentit të ri amerikan, Joe Biden. Në fotografitë e publikuara shihen të paktën katër raketa të reja, maja e të cilave ishte e ngjyrosur me ngjyrë të zezë e të bardhë.
Analistët thanë se ky lloj rakete nuk është parë më herët në paradat ushtarake të Koresë Veriore. I veshur me një pallto të zezë lëkurë, Kim Jong-un u pa duke buzëqeshur dhe duke i përshëndetur ushtarët në paradë.
Në paradën e së enjtes nuk u pa raketa më e madhe balistike ndërkontinentale, e cila besohet se mund të transportojë kokë bërthamore kudo në territorin e Shteteve të Bashkuara.
Gjatë fjalimit në kongresin e partisë në pushtet javën e kaluar, Kim Jong-uni u zotua se do ta zgjerojë potencialin e armëve bërthamore të vendit të tij.
(Kosova Sot Online)