BioNTech dhe Pfizer thonë se vaksina e tyre është efektive kundër variantit të ri

  • E. /
  • 20 January 2021 - 11:53
BioNTech dhe Pfizer thonë se vaksina e tyre është efektive kundër variantit të ri

Sipas një studimi laboratorik të kryer nga kompanitë BioNTech dhe Pfizer, vaksina e zhvilluar nga to për ta luftuar koronavirusin është efektive edhe ndaj variantit të ri që fillimisht u regjistrua në Britaninë e Madhe.

Varianti i njohur si B117 ka numër të madh të mutacioneve, gjë që ka shkaktuar shqetësime se ai mund t’i shpëtojë mbrojtjes së sistemit imunitar që ndërtohet nga vaksinat kundër virusit, shkruan Financial Times.

Megjithatë, hulumtuesit në selinë qendrore të kompanisë BioNTech në Mainz të Gjermanisë zbuluan se një version testues i virusit, në të cilin ndodheshin të gjitha mutacionet e tij, u neutralizua nga antitrupat në gjakun e 16 pacientëve që janë vaksinuar në testimet e mëhershme. Gjysma e këtyre pacientëve ishin mbi moshën 55-vjeçare.

Në një hulumtim që ende nuk është rishikuar nga shkencëtarët tjerë, kompanitë thanë se nuk është vërejtur dallim i konsiderueshëm biologjik në aktivitetin neutralizues mes rezultateve laboratorike me variantin origjinal të koronavirusit dhe rezultateve të variantit të ri.

Sidoqoftë, autoritetet paralajmëruan se evolucioni i vazhdueshëm i virusit Sars-Cov-2 e bën të nevojshëm përcjelljen e vazhdueshme të peshës së ndryshimeve për mbrojtje të qëndrueshme nga vaksinat e autorizuara deri më tani.

(Kosova Sot Online)