Isa Mustafa: Testamenti politik i Rugovës ishte ruajtja e miqësisë me SHBA’në
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa e ka përkujtuar ish-presidentin Ibrahim Rugova në 15-vjetorin e vdekjes së tij.
Përmes një komunikate për media, Mustafa ka thënë se Rugova do të mbetet lideri historik që e ndërkombëtarizoi si dhe e bindi botën demokratike që të çlirohet Kosova nga okupimi serb, të themelohet shteti dhe të shpallet pavarësia.
Sipas Mustafës, ai është arkitekt i shtetit dhe pavarësisë së Republikës së Kosovës, duke shtuar se urtësia dhe largpamësia e tij, u duhet edhe sot dhe i ndjekë gjithmonë në rrugëtimin e tyre politik.
“Në janarin e acartë të vitit 2006, iku në amshim shkrimtari, studiuesi i letërsisë, lideri dhe Presidenti Historik Dr. Ibrahim Rugova. Intelektuali, politikani i urtë dhe mendimtari i thellë me mençuri dhe guxim kishte projektuar qartë lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ai ndërtoi themelet e shtetit tonë mbi parimet: Liri, Pavarësi dhe Demokraci. LDK-ja në vazhdimësi ka shprehur zotimin e saj se do të punojë me përkushtim për zhvillimin e vendit, vizion ky i Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova”, ka thënë ai.
Mustafa tutje ka thënë se trashëgimia politike që ai la pas është bazament i shtetit të Kosovës.
“Duke e zhvilluar vendin tonë, duke ruajtur miqësitë e tij që i krijoi në botë, e ruajmë këtë trashëgimi e cila është emblema më e mirë e Kosovës tonë të sotme dhe të ardhshme. Testamenti politik i Rugovës ishte ruajtja dhe kultivimi i raporteve me vendet mike dhe përkrahëse të Kosovës, në veçanti siç e thoshte Presidentit shumë herë: miqësi e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë tutje ai.
(Kosova Sot Online)