Dënohet me burgim të gjatë ushtari rus që vrau tetë kolegët që e keqtrajtonin
Një gjykatë ushtarake në Siberi e shpalli fajtor ushtarin Ramil Shamsutdinov për vrasjen e tetë kolegëve ushtarë dhe e dënoi me 24 vjet e gjysmë burgim.
Ushtari i dënuar ka deklaruar se e ka realizuar sulmin pas ngacmimeve të vazhdueshme që ia bënin kolegët. Vendimi i Gjyjkatës Ushtarake të Distriktit Lindor erdhi pas kërkesës së prokurorëve për 25 vjet burgim, ndonëse një juri bëri thirrje për dënim më të lehtë.
Avokati i këtij ushtari, Ruslan Nagiyev, tha se do të paraqesë ankesë ndaj vendimit, shkruan Free Europe.
Ekipi mbrojtës i Shamsutdinovit tha se klienti i tyre e realizoi sulmin në nëntor të vitit 2019, duke vrarë tetë ushtarë, përfshirë dy oficerë të lartë, pasi ishte torturuar dhe rrahur nga ushtarët dhe oficerët gjatë shërbimit në ushtri.
Më 28 dhjetor, ai u shpall fajtor për vrasje dhe tentim-vrasje, por trupi gjykues gjithashtu tha se ushtari meriton lehtësime, që do të thoshte se ligji rus nuk parashihte dënim më të gjatë se 13 vjet e 4 muaj burgim për këtë rast.
Rasti shokoi shumë njerëz në Rusi dhe e mori vëmendjen e aktivistëve për të drejtat e njeriut pasi ushtari pretendoi se e ka kryer veprën gjatë kohës kur po përjetonte çrregullim nervoze të shkaktuar nga ato që ka duruar.
Sulmet vdekjeprurëse brenda ushtrisë ruse si rezultat i keqtrajtimeve kanë qenë fokus i organizatave për të drejtat e njeriut për vite të tëra.
Në nëntor të vitit të kaluar, një ushtar në një bazë ajrore të qytetit perëndimor, Voronezh, qëlloi për vdekje një oficer dhe dy ushtarë.
Viteve të fundit, ushtarët rusë kanë publikuar fotografi e video në internet, ku rekrutët e rinj shihen duke u ngacmuar rëndë gjatë shërbimit në forcat e armatosura.
(Kosova Sot Online)