Një lloj i ri i mushkonjës së malaries shfaqet në qytetet afrikane

  • E. /
  • 28 January 2021 - 10:38
Një lloj i ri i mushkonjës së malaries shfaqet në qytetet afrikane

Një lloj i mushkonjës që deri vonë nuk është parë në Afrikë tani është i zakonshëm në qytetet e Etiopisë, duke krijuar shqetësim për pasoja rreth infektimit të mundshëm të njerëzve me malarie, sipas një studimi.

Mushkonja me emrin shkencor Anopheles stephensi është mushkonja kryesore e malaries në Indi dhe për herë të parë në Afrikë është parë vetëm para disa vjetëve. Përpos në qytetet e Etiopisë, ky lloj i mushkonjës është gjetur edhe në qendrat urbane të Sudanit dhe Gjibutit.

Ndonëse malaria ka qenë tradicionalisht sëmundje më e përhapur në zona rurale dhe njerëzit kanë përjetuar nivel më të lartë të infeksionit larg qyteteve, paraqitja e këtij lloji të mushkonjës në qytete nënkupton që rreziku nga malaria mund të rritet edhe në mesin e popullsisë urbane.

Këto të dhëna i publikuan shkencëtarët e Qendrës Mjekësore të Universitetit Radbound në Holandë dhe Institutit Kërkimor “Armauer Hansen” në Etiopi, shkruan Independent.

Përderisa shumica e mushkonjave afrikane shtohen në zona rurale, mushkonja Anopheles stephensi shtohet më lehtë në kontejnerët me ujë të pastër.

Në vitin 2019, Organizata Botërore e Shëndetësisë kishte paralajmëruar për rrezikun e mundshëm që e paraqesin llojet invazive të insekteve, duke vënë në pah se speciet e gjetura duket se kanë rezistencë ndaj disa grupeve të insekticideve dhe në këtë mënyrë paraqesin sfida të mundshme për kontrollimin e tyre.

(Kosova Sot Online)