Votuesit nga jashtë vendit mund të votojnë që nga nesër

  • E. /
  • 01 February 2021 - 08:12
Votuesit nga jashtë vendit mund të votojnë që nga nesër

Të gjithë ata persona të cilët janë regjistruar suksesshëm si votues jashtë vendit, do të mund të votojnë për zgjedhjet e 14 shkurtit, përmes postës duke filluar nga nesër.

Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.

Ai ka bërë me dije se shërbimi votues i këtij institucioni është në përmbyllje e sipër të regjistrimit dhe verifikimit të aplikacioneve për votuesit jashtë Kosovës për zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Gjatë ditës së nesërme, e hënë, do të kemi një raport të detajuar se sa është numri i aplikacioneve të cilat janë pranuar deri më 21 janar, sa prej tyre janë aprovuar dhe sa janë refuzuar”, ka thënë Elezi.

Elezi tha se të gjithë ata persona që janë regjistruar suksesshëm si votues jashtë vendit, do të mund të votojnë përmes postës duke filluar nga 2 shkurti.

“Fletëvotimet duhet të pranohen nga KQZ-ja deri më 12 shkurt. Po ashtu, nesër do të kemi edhe të dhëna nga qendra e thirrjeve lidhur me verifikimin e aplikuesve përmes telefonimit të tyre dhe se deri ku ka shkuar ky proces”, tha Elezi.

Këtë vit, KQZ-ja, me qëllim që të verifikojë të dhënat e votuesve jashtë Kosovës, ka thënë se do të kontaktojë tri herë përmes telefonit votuesit jashtë vendit.

Kosova do të mbajë zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 14 shkurt.

(Kosova Sot Online)