Gazetari serb: Vuçiqi e imiton Orbanin, e vetmja zgjidhje inovative për Kosovën është njohja e pavarësisë së saj

  • E. /
  • 02 February 2021 - 11:33
Gazetari serb: Vuçiqi e imiton Orbanin, e vetmja zgjidhje inovative për Kosovën është njohja e pavarësisë së saj

Gazetari i serb i kanalit televiziv Nova.rs, Zhelko Panteliq ka thënë për televizionin N1 se presidenti serb Aleksandar Vuçiq “e imiton presidentin hungarez Viktor Orban në shumë gjëra” dhe se ai “mbron pozicionin e tij në Bashkimin Evropian me një politikë të tillë”. Ai gjithashtu vëren se shembulli i Hungarisë dhe Polonisë tregon se hyrja e Serbisë në Bashkimin Evropian nuk garanton respektimin e lirive, të drejtave të njeriut dhe ekonominë e tregut, dhe për këtë arsye thotë se “ne duhet të luftojmë vetë për gjithçka”.

“Jo vetëm në ekonomi, por edhe në gjëra të tjera, Vuçiqi e imiton Viktor Orbanin. [..] Ai dëshiron t’i tregojë BE-së se është i dobishën, në mënyrë që Serbia të jetë një treg për fuqi punëtore të lirë, dhe në atë mënyrë, duke u bërë thirrje kompanive të BE-së, ta mbrojë pozicionin e vet. Orbani e bëri të njëjtën gjë… Gjëja tjetër është se në atë mënyrë ai e lidh industrinë e atyre vendeve që kanë ndikim në politikën e vendeve të tyre, dhe kjo është arsyeja pse ai ndihet kaq i sigurt”, vlerëson Panteliq.

Ai sheh se shembulli i Hungarisë dhe Polonisë mund të jetë një mesazh i mirë për opozitën serbe dhe njerëzit që besojnë në Bashkimin Evropian, e që sipas tij, kjo do të thotë që anëtarësimi në BE nuk garanton që serbët do ta kenë një shtet ligjor, se të drejtat e njeriut dhe ekonomia e tregut do të respektohesin. “Por le të luftojmë vetë”, thotë ai.

“Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është vendim politik”, nënvizoi Panteliq.

Ai tregon se gjëja më e rëndësishme për takimin e Vuçiqit në Paris me presidentin e Francës, Emmanuel Macron është pjesa ekonomike e bisedës dhe fakti që u bë një marrëveshje që Franca të punonte në ndërtimin e metrosë në Beograd.

“Nuk ka raportime në gazetat franceze për vizitën në Vuçiqit. Dhe kjo është normale. Le të mos gënjejmë, ne jemi një vend i vogël, nuk mund të jemi interesant për francezët, veçanërisht pasi nuk ka asgjë interesante për ta në atë takim. Edhe ajo historia e një zgjidhjeje inovative për Kosovën… Ne duhet ta kuptojmë se nuk ka asnjë zgjidhje inovative për Kosovën. Për Kosovën, ekziston vetëm një mënyrë inovative e zgjidhjes, që Serbia ta njohë Kosovën”, thekson Panteliq.

“Amerika e ka njohur Kosovën brenda kufijve të saj dhe nuk ka asnjë mundësi që Shtetet e Bashkuara ta ndryshojnë mendimin e tyre fare në një të ardhme të parashikueshme, dmth në 100 vitet e ardhshme. As Gjermania, as Franca, as Britania e Madhe nuk do ta bëjnë këtë”, vlerëson Panteliq.

Zhelko Panteliq ka qenë gazetar në Radio-Televizionin e Beogradit në vitin 1994, ndërsa pas bombardimeve të NATO-s në prill të vitit 1999, ai kishte vendosur të largohej nga Serbia. 

(Kosova Sot Online)