Caktohet seanca për rastin ku Gani Geci akuzohet për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit
Rigjykimi për rastin ku Gani Geci akuzohet për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit, që kishte ndodhur më 4 gusht të vitit 2014, pritet të nis në mars të këtij viti.
Gjykatësi Radosllav Markoviq bëri të ditur se seancën e parë të rigjykimit për këtë rast e ka caktuar për 30 mars të këtij viti, në ora 10:00.
Kjo është seanca e parë e caktuar që nga kthimi i këtij rasti në rigjykim nga Gjykata e Apelit, në shtator të vitit 2017.
Gjykata Themelore në Mitrovicë, me 3 qershor 2016, e kishte dënuar Gani Gecin me 4 vjet e 6 muaj burgim për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit.
Ai akuzohet se vrasjen e kishte kryer në kafiterinë “N’Qosh”, në qendër të Skenderajt, më 4 gusht të vitit 2014.
Geci e kishte pranuar se e ka kryer këtë vrasje, duke thënë se këtë veprim e kishte bërë në vetëmbrojtje, pasi kishte deklaruar se ka qenë i rrezikuar të vritej.
Pas vendimit të shkallës së parë, Gjykata e Apelit kishte shqyrtuar ankesat e palëve, më 26 shtator 2017 dhe çështjen e kishte kthyer në rigjykim.
Në aktvendimin e Apelit, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhej se gjykata e shkallës së parë nuk e ka aprovuar cilësimin e veprës penale sipas aktakuzës së ndryshuar në “vrasje të rëndë”, pasi nuk ishte e qartë se për cilën vepër penale e ka shpallur fajtor.
Sipas vendimit, nga emërtimi ligjor i veprës penale sipas dispozitivit të aktgjykimit rezulton se i akuzuari është shpallur fajtor për veprën penale të “vrasjes”, kurse nga përshkrimi i veprimeve inkriminuese, respektivisht, fakteve dhe rrethanave që përbëjnë figurën e veprës penale del se i akuzuari ka vepruar në gjendje të tronditjes së fortë mendore, kundërthënie këto që sipas shkallës së dytë e bëjnë të pakuptueshëm dispozitivin e aktgjykimit.
“Këto kundërthënie dhe paqartësi janë aq të theksuara në aktgjykim sa e bëjnë atë të paqartë, konfuz dhe juridikisht të paqëndrueshëm dhe të cilat paraqesin shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, që paraqesin bazë për anulimin e aktgjykimit, ngase janë të natyrës absolute dhe nuk mund të evitohen në këtë procedurë, sepse bëjnë të pamundur vlerësimin e drejtë të ligjshmërisë së aktgjykimit në fjalë”, thuhej në aktvendimin e Apelit.
Ndërkaq, me këtë aktvendim, ankesat e të dëmtuarës Halime Shaqiri dhe përfaqësuesit të autorizuar të saj, avokatit Sokol Dobruana, Apeli i kishte cilësuar si jolëndore.
(Kosova Sot Online)