22 vjet nga publikimi i raportit ‘Java e terrorit në Drenicë’

  • E. /
  • 08 February 2021 - 08:15
22 vjet nga publikimi i raportit ‘Java e terrorit në Drenicë’

Organizata amerikane për të Drejtat e Njeriut “Human Rights Watch “, 22 vjet më parë publikoi raportin me titull “Java e terrorit në Drenicë” .

Në këtë raport, i cili u publikua më 8 shkurt 1999, përshkruhet se si forcat speciale serbe kah fundi i shtatorit 1998 masakruan 21 civilë në Abri e Epërme, dhe vranë 13 burra në fshatin e afërt Golluboc. Ekstrakt nga Raporti i Vëzhguesve për të Drejtat e Njeriut – Java e terrorit në Drenicë: Shkeljet e ligjeve humanitare në Kosovë

Luftimet në Abri të Epërme. Kah mesi i Korrikut, 1998, armata jugosllave dhe policia serbe filluan një ofensivë të përgjithshme kundër UÇK-së. Ajo pothuaj kishte humbur kontrollin, sipas një vlerësimi, në mbi një të tretën e territorit të Kosovës. Ofensiva që shoqërohej nga artileria e rëndë, tanket, forcat ajrore, pati efekt të lartë në detyrimin e forcave të UÇK-së për t’u tërhequr nga shumica e pozicioneve të tyre drejt maleve mes drunjsh.

Dhe në fund të kësaj ofensive, vetëm pak luftëtarë të UÇK-së u vranë apo u zunë rob. Vuajtjet më të mëdha i përjetoi popullata civile shqiptare, që jetonte në zonat e luftimeve. Më shumë se dyqind fshatra janë shkatërruar dhe së pakut 300 mijë njerëz kanë mbetur pa strehë. Shumica e më se 2000 të vrarëve gjatë shtatorit janë civilë. Rreziku që u kanosej civilëve në Kosovë ishte artikuluar në një qëndrim publik të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq lëshuar në shtator: “Në momentin e tanishëm mbretëron gjendje e rënd dhe e pandryshueshme për disa javë me radhë. Dhjetëra e mijëra civilë janë në rreth të hekurt të sulmeve dhe të zhvendosur nga trojet e veta. Ata i janë ekspozuar dhunës, madje u kërcënohet edhe jeta, shkatërrimi i shtëpive, ndarja nga familjet dhe abduksioni.

Mijëra sish nuk kanë vend ku të strehohen as të kërkojnë vetëmbrojtje…”Nga mesi i shtatorit, presioni ndërkombëtar ndaj Millosheviqit për të ndërprerë këtë ofensivë ishte rritur. Por, tashmë qeveria kishte arritur të shkatërrojë qendrat dhe vendqëndrimet e UÇK-së, duke i shtyrë ata drejt maleve. Veprimet shkatërruese kishin ngelur pambaruar edhe në një zonë të rëndësishme; Drenicën, pjesën qendrore të Kosovës, ku kishin zënë vend luftimet më të shumta mes UÇK-së dhe forcave të qeverisë. Dyshohej se ditët finale të ofensivës ishin kalkuluar me kujdes.

Millosheviq dhe krerët e tij ushtarak e dinin se kishin pak kohë për ta kompletuar objektivin e tyre në Kosovë e pastaj për të manipuluar me një kërkesë për tërheqje rapide të forcave nga Kosova, siç kërkon perëndimi. Fshati Abri e Epërme gjendet në territorin e komunës së Gllogovcit të Drenicës. Fshat i vjetër 500-vjeçar, që kishte rreth 300 shtëpi të ndara në disa komponime (lagje) të mëdha familjare, me fusha dhe drunj në mes tyre, llogaritur edhe lagjen Deliu dhe atë Hysenaj, të cilat zënë vend të posaçëm në këtë raport. Tri kilometra në veri, në maje të bregut gjendet Likoci, që ishte në shërbim të UÇK-së, por që nga 13 shtatori (1998 – Sh.B) ri-okupohet nga forcat jugosllave. Gjatë muajit shtator, forcat e qeverisë morën një ofensivë në regjionin e Drenicës që kishte për qëllim të dislokojë UÇK-në nga kjo trevë e fuqishme. Policia dhe ushtria sulmuan nga drejtimi i Klinës, në jugperëndim të Gllogovcit, pastaj edhe nga Qyçavica, malet në lindje dhe me efikasitet do t’i rrethojnë forcat e UÇK-së në bregun e Abrisë.

Duke iu referuar Naim Malokut, një komandues i UÇK-së dhe ish-oficer i armatës jugosllave i intervistuar nga “Nju Jork Times”, forcat jugosllave hasën në rezistencë të UÇK-së mes Abrisë dhe Likocit… Pas pushtimit të Likocit, forcat e serbe ishin nisur drejt Abrisë. Sipas Zejnije Deliut, që ishte me familjen e saj në Abri, në fillim të ofensivës, forcat e qeverisë filluan të bombardojnë lagjen Deliu nga Likoci që në mëngjes, rreth orës tetë, të premten, më 26 shtator, nga llojet më të ndryshme të artilerisë dhe mortajave. Shumica e banorëve të lagjes ishin strehuar në pyll, për t’u ikur granatimeve.

I vetmi civil që kishte ngelur në Lagje gjatë granatimeve ishte Bashkim Deliu, 21 vjeçar, që duhej të kujdesej për babanë e tij Fazliun, 94 vjeçar dhe invalid. Bashkimi sqaron se sulmet vazhduan sërish të shtunën në mëngjes, pasi në mbrëmjen e së premtes policët sërish ishin kthyer në Likoc. Gjysma e konvojit të tankeve në Likoc, që ishin rreth 68 gjithsej, kishin lëvizur në drejtim të lagjes Deliu.

Ata hidhnin pandërprerë gjyle nga topat e tankeve mbi lagjen tonë. Këmbësorët vinin pas tankeve dhe shumica e tyre kishin mjekra. Unë vazhdoja të qëndroja me babanë tim, që kishte nevojë për ndihmën time, për ujë dhe ushqim. Ishim duke tymosur nga një cigare, kur granata ra në kulm të shtëpisë. Kërceva jashtë nga kati i dytë i shtëpisë dhe vrapova nëpër oborr. Shikova nga një vrimë e derës së oborrit dhe pashë se në shtëpinë e fqinjit ishin futur ushtarë e paramilitarë. I pashë ushtarët tek vinin drejt shtëpisë sime jo më larg se tridhjetë metra. Kishin uniforma ushtarake ngjyrë kafeje dhe shumë prej tyre kishin thika të mëdha ose sëpata të vogla, përveç armëve të zjarrta. Vazhdova të vrapoj me sa forcë që kisha drejt Badërlakëve (Lagjes fqinje)… Për disa ditë me radhë pastaj forcat jugosllave do të mbajnë nën kontroll Abrinë, duke kryer keqbërjet e cekura në këtë raport.

(Kosova Sot Online)