Dhjetëra ish-republikanë në bisedime për të formuar një parti kundër Trumpit
Dhjetëra ish-zyrtarë të Partisë Republikane, të cilët nuk kanë vullnet ta përkrahin ish-presidentin Trump dhe përpjekjet e tij për ta minuar demokracinë amerikane, janë në bisedime për të themeluar një parti të qendrës së djathtë, i thanë agjencisë Reuters katër persona të përfshirë në bisedime.
Në fazën e parë të bisedimeve janë përfshirë ish-republikanë të zgjedhur, ish-zyrtarë në administratat e ish-presidentëve Ronald Reagan, George H.Ë. Bush, George Ë. Bush dhe Donald Trump, ish-ambasadorë republikanë dhe strategjistë republikanë, thanë njerëzit e përfshirë në diskutime.
Mbi 120 prej tyre mbajtën një takim virtual përmes aplikacionit Zoom të premten e kaluar për të diskutuar rreth grupit të ri politik, i cili do të mbështetej në konservatorizmin me parime, përfshirë respektimin e kushtetutës dhe sundimin e ligjit, ide për të cilat ata thonë se janë hedhur në mbeturina nga Trumpi.
Personat e përfshirë në diskutime për formimin e partisë së re thanë se plani është që të garojnë me kandidatë në disa gara, por edhe të përkrahin kandidatë të qendrës së djathtë, qofshin ata republikanë, demokratë apo kandidatë të pavarur, shkruan Reuters.
Pjesëmarrësit në takimin virtual thanë se ata janë veçanërisht të tronditur nga fakti se mbi gjysma e republikanëve në Kongres dhe 139 anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve votuan për bllokimin e certifikimit të fitores së Bidenit në zgjedhje vetëm disa orë pas rrethimit të ndërtesës së Capitol-it nga përkrahësit e Trumpit.
(Kosova Sot Online)