Kancelarja Merkel: Të përgatitemi, variantet e reja të koronavirusit mund të sjellin valën e tretë

  • G.g /
  • 11 February 2021 - 15:20
Kancelarja Merkel: Të përgatitemi, variantet e reja të koronavirusit mund të sjellin valën e tretë

“Duhet të përgatitemi për faktin se variantet e reja të koronavirusit mund të bëhen dominues dhe të asgjësojnë sukseset tona me një valë të tretë të mundshme”.

Kështu u shpreh kancelarja gjermane Angela Merkel në Bundestag duke paralajmëruar një situatë aspak të mirë në vazhdim, teksa komentoi pandeminë dhe masat e marra nga qeveria gjermane.

“Në disa vende europiane kemi parë një rritje të herë pas hershme dramatike të infeksionit dhe kjo mund të ketë efekte katastrofike për sistemet shëndetësore”, shtoi Merkel gjatë fjalës së saj në Bundestag.

“Jo gjithçka është studiuar me thellësi, por do të bënim mirë të mos dyshonim tek ekspertët në vend dhe jashtë tij, kur ata na shpjegojnë se të tre variantet janë më agresivë dhe më të transmetueshëm”.

Më tej, kancelarja kërkoi që të bëhet ende durim në luftën ndaj pandemisë. “Në fund do të fitojmë dhe do ta drejtojmë vendin drejt kohërave më të mira”.

Megjithatë, Merkel theksoi se numri i viktimave në Gjermani po zvogëlohet, por ajo tha se mund të ketë zhvillime të pakëndshme në vijim për shkak të varianteve të reja të virusit. Sa i përket fundit të pandemisë, Merkel u tregua e rezervuar duke thënë se virusi nuk “ndjek kalendarin”.

(Kosova Sot Online)