Ekonomia e Britanisë shënoi tkurrje rekorde vitin e kaluar

  • G.g /
  • 12 February 2021 - 09:31
Ekonomia e Britanisë shënoi tkurrje rekorde vitin e kaluar

Ekonomia e Mbretërisë së Bashkuar u tkurr për një shifër rekorde prej 9.9 për qind vitin e kaluar për shkak të ndikimit të pandemisë, tha Zyra për Statistika Kombëtare.

Zëvendësdrejtori i kësaj zyre, Jonathan Athow, bëri të ditur se rënia ekonomike në vitin 2020 ishte më shumë se dy herë më shumë se rekordi i mëparshëm vjetor i tkurrjes së ekonomisë në Britani.

Në dhjetor, ekonomia britanike u rrit për 1.2 për qind falë lehtësimit të disa masave kufizuese, ndërsa në nëntor u tkurr për 2.3 për qind, shkruan BBC.

Disa sektorë që shënuan rimëkëmbje ishin sektori i gastronomisë, shitja e veturave dhe sallonet e floktarëve.

Athow tha: “Rritja e testimit dhe përcjelljes së rasteve për Covid-19 gjithashtu e shtoi prodhimin. Ekonomia vazhdoi të rritet në çerekun e katërt në tërësi, pavarësisht masave shtesë në nëntor.”

GDP-ja e Britanisë së Madhe fillimisht është matur pas Luftës së Dytë Botërore dhe shifra e saj asnjë herë nga ajo kohë nuk ka rënë më shumë se 4.1 për qind para vitit 2020.

(Kosova Sot Online)