Donatori që dha 2.5 milionë dollarë për Trumpin synon t’i kthejë paratë me padi

  • E. /
  • 16 February 2021 - 10:48
Donatori që dha 2.5 milionë dollarë për Trumpin synon t’i kthejë paratë me padi

Një ndër donatorët më të mëdhenj të Partisë Republikane, i cili ia ka dhuruar 2.5 milionë dollarë një grupi që merrej me hetimin e pretendimeve të pabaza të Trumpit për mashtrim në zgjedhje, raportohet se ka paraqitur padi për t’iu kthyer paratë.

Fred Eshelman, themelues i “Eshelman Ventures”, e kishte kontaktuar një organizatë në Teksas, e cila paraqiti raste ku dyshohej për mashtrim në procesin e votimit në Georgia, Michigan, Pensilvani dhe Wisconsin, por më vonë i braktisi të gjitha rastet.

Ky grup raportohet se i kishte koordinuar përpjekjet me avokatin e Trumpit, Jay Sekulow, dhe senatorin Lindsey Graham, por vendoi t’i hidhte poshtë paditë e veta në momentin që fushata e Trumpit filloi të merrte më shumë terren.

Në padinë e tij, Eshelman thotë se grupi që u mor me hetimet nuk i ka shpenzuar 2.5 milionë dollarët siç i është kërkuar. Në vend të kësaj, ai pretendon se donacioni shkoi për njerëzit dhe bizneset e lidhura me shefen e grupit, zonjën Engelbrecht.

Megjithatë, në dokumentet e gjykatës, grupi që u akuzua nga donatori tha se paratë e z.Eshelman janë shpenzuar në mënyrën e duhur, duke shtuar se atij nuk i takon kthimi i të hollave për shkak se nuk ka pasur parakushte në donacionin e dhënë.

Menjëherë pas mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale, ish-presidenti Trump vazhdimisht pretendoi në mënyrë të pabazuar se ka pasur manipulim të gjerë në zgjedhje. Sidoqoftë, ankesat dhe paditë e tij u rrëzuan dhe shumë beteja ligjore u humbën.

(Kosova Sot Online)