Arabia Saudite do të investojë çdo vit në ushtri gati sa buxheti i Kosovës
Arabia Saudite do të investojë më shumë se 20 miliardë dollarë në ushtri gjatë dekadës së ardhshme në industrinë ushtarake, bëri të ditur kreu i rergullatorit saudit për industri ushtarake.
Shteti më i madh i Gadishullit Arabik po synon që të prodhojë më shumë armë dhe sisteme ushtarake brenda vendit, duke planifikuar që gjysmën e buxhetit ushtarak ta shpenzojë lokalisht deri në vitin 2030.
“Qeveria ka vendosur një plan që ne do të investojmë përtej 10 miliardë dollarëve në industrinë ushtarake në Arabinë Saudite gjatë dekadës së ardhshme dhe sasinë e njëjtë për hulumtim dhe zhvillim”, tha guvernatori i Autoritetit të Përgjithshëm për Industri Ushtarake, Ahmed bin Abdulaziz Al-Ohali, gjatë një konference për fushën e mbrojtjes në Abu Dabi.
Ai gjithashtu tha se mbretëria po planifikon që t’i shtojë shpenzimet për zhvillimin dhe hulumtimet ushtarake nga 0.2 në rreth 4 për qind të shpenzimeve të përgjithshme për ushtrinë deri në vitin 2030.
Arabia Saudite ka 251.500 pjesëtarë aktivë në ushtri, ndërsa viteve të fundit është në mesin e shteteve që ka shpenzuar më së shumti në këtë sektor.
Sipas të dhënave për vitin 2018, Arabia Saudite ishte shteti i tretë në botë me më së shumti shpenzime për ushtri, menjëherë pas Shteteve të Bashkuara dhe Kinës. Buxhetin për ushtrinë e ka sa 8.8 për qind e GDP-së.
(Kosova Sot Online)