
Turku i akuzuar për shtyrjen e gruas shtatzënë nga shkëmbi u kthye më vonë “për ta përkujtuar”

Një burrë që po akuzohet se e ka hedhur nga shkëmbi gruan shtatzënë pasi bëri një fotografi me të u kthye disa muaj më vonë në vendin e ngjarjes “për ta përkujtuar”, thanë autoritetet turke.
Prokurorët po pretendojnë se Hakan Aysal, 40 vjeç, e bleu sigurimin jetësor pak kohë para se ta vriste bashkëshorten, Semra Aysal, 32 vjeçe, në Luginën e Fluturave në Turqi më 2018, shkruan Daily Mail.
Policia të martën zbuloi pamje rrëqethëse ku shihen momentet e fundit të çiftit, pasi burri dhe gruaja lëshohen poshtë një shkëmbi të lartë. Dyshohet se burri e kreu krimin me qëllimin që të përfitonte rreth 46.000 euro.
Hetuesit që po i hetojnë llogaritë e të dyshuarit në rrjetet sociale kanë zbuluar se ai e ka vizituar vendin ku besohet se është kryer krimi në qershor të vitit 2020 dhe ka publikuar një fotografi me mbishkrimin: “Një vend që dikur ishte parajsa ime nuk ka më diell”.
Dyshohet se burri e shpërbleu veten me pushime luksoze rreth Turqisë dhe qëndroi në hotele të shtrenjta jashtë vendit pasi e ktheu në kesh vdekjen e bashkëshortes.
Prokurorët thonë se Semra Aysal ishte shtatzënë në muajin e shtatë në kohën e vdekjes dhe është shtyrë nga shkëmbi i lartë rreth 300 metra, duke vdekur menjëherë.
Burri po akuzohet për vrasje të qëllimshme, duke e planifikuar vrasjen e gruas, por paraprakisht duke blerë sigurim nga aksidentet në emër të saj me garanci prej 400.000 lirash turke ose rreth 46 mijë eurosh, përfitues i të cilit do të ishte vetë ai.
Prokurorët thanë se arsyeja e vetme pse burrë e grua qëndruan në majë të shkëmbit për tri orë ishte që burri të sigurohej se askush nuk do ta shihte duke e kryer veprën.
(Kosova Sot Online)