Lexoni edhe:
Aleksandër Lumezi pas vdekjes së prokurorit Krasniqi: Humbje e madhe për sistemin prokurorial
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se sot në orën 11:00 do të mbahet takimi i radhës i Komitetit për vlerësimin dhe koordinimin e situatës epidemiologjike lidhur me COVID-19.
Përmes një komunikate drejtuar mediave, MSH’ja ka bërë dije se takimi do të mbahet në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës.
“Nën kryesimin e Ministrit në detyrë të Shëndetësisë, z. Armend Zemaj, sot mbahet takimi i radhës i Komitetit për vlerësimin dhe koordinimin e situatës epidemiologjike lidhur me COVID-19. Takimi mbahet në ndërtesën e Qeverisë së Republikës së Kosovës, salla P-38, duke filluar nga ora 11:00”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, ka disa ditë në media që po raportohet se do të ketë shtim të masave dhe rrjedhimisht edhe kufizim të lëvizjes.
Megjithatë, burime të medias në Komitet kanë thënë se gjendja me pandeminë është e menaxhueshme andaj e shohin të panevojshme kufizimin e lëvizjes.
Ky burim ka thënë se mund të mos ketë as masa tjera shtesë, por që kjo mbetet të shihet sot.
Nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik është thënë se masat aktuale mund ta ndërprejnë rritjen e numrit të rasteve me COVID-19, të parandalojnë mbingarkesën e hospitalizimeve dhe të parandalojnë rritjen e numrit të vdekjeve.
IKSHPK ka apeluar te qytetarët, institucionet dhe organizatat publike dhe private, për respektimin dhe ndërmarrjen e të gjitha masave të nevojshme për parandalimin, menaxhimin dhe kontrollin e infeksionit COVID-19.
Përndryshe, Shoqata e Gastronomëve të Kosovës, ka kundërshtuar mundësinë e paralajmërimit të shtrëngimit të masave, derisa kanë paralajmëruar protesta për të hënën.
(Kosova Sot Online)