Vaksinat anti-Covid shiten në tregun e zi, sa kushton një dozë

  • 06 March 2021 - 09:00
Vaksinat anti-Covid shiten në tregun e zi, sa kushton një dozë

Në tregun e zi ‘online’, shiten edhe vaksinat anti-Covid dhe me një çmim shumë të lartë. Në fakt, një dozë mund të kushtojë deri në 1,200 dollarë.

Analistët vëzhguan 15 tregje të ndryshme në tregun e zi të internetit, duke parë se tregtohen edhe doza të Pfizer-BioNTech, AstraZeneca dhe Moderna si dhe vaksinat e tjera jo të certifikuara anti-Covid.

Shumica e shitësve janë në Francë, Gjermani, MB dhe SHBA, një problem që po hetohet edhe nga autoritetet për shkak të rreziqeve që mbart, nga mungesa e sigurisë në lidhje me vaksinat që tregtohen.

Marrëveshjet e blerjes bëhen përmes aplikacioneve të koduara të mesazheve të tilla si Wickr dhe Telegram, ndërsa pagesat kërkohen në formën e kriptomonedhës dhe kryesisht “bitcoin”, të cilat për nga natyra e tyre janë shumë më të vështira për t’u gjurmuar.

“Në uebfaqet e errëta, – nënvizoi Dmitry Galov, ekspert i sigurisë i Kaspersky, – është e mundur të gjesh gjithçka, kështu që fakti që disa shitës me pakicë përpiqen të fitojnë nga fushata e vaksinimit, nuk duhet të na habisë. Sipas analizave tona më të fundit, jo vetëm doza të vaksinës janë shitur, por edhe të dhëna të vaksinimit, ose dokumente që ju lejojnë të lëvizni lirshëm nga një vend në tjetrin”.

Shumica e shitësve të paligjshëm, sipas vlerësimeve të Kaspersky-t, kanë bërë rreth 100-500 transaksione shitjeje, “por nuk është e qartë se çfarë po blejnë me të vërtetë përdoruesit e Darknet. Është e pamundur të thuash se sa nga dozat e vaksinave të tregtuara në internet janë reale dhe sa reklama janë në të vërtetë një mashtrim”, – komentojnë analistët e kompanisë së sigurisë së informacionit.

Për të shmangur mashtrimet, Galov këshillon të “jetë i kujdesshëm ndaj çdo marrëveshje në lidhje me pandeminë”. “Blerja e një vaksine në një Darknet nuk është një ide e mirë”, – tha ai.

(Kosova Sot Online )