Lexoni edhe:
Lutfi Haziri: Tash s’ka vend për marrëveshje, votimi i fshehtë do ta zgjedh kryetarin e LDK-së
Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, i cili i humbi zgjedhjet presidenciale në nëntor të vitit të kaluar, Donald Trump, u mburr të mërkurën për përpjekjet e administratës së tij për ta siguruar vaksinën kundër Covid-19, duke pretenduar se pa të në pushtet, amerikanët do të mbeteshin pa vaksinë së paku për pesë vjet.
“Shpresoj që të gjithëve t’u kujtohet kur ta marrin vaksinën për Covid-19 se po të mos ishte presidenti, nuk do ta merrnit atë dozë të bukur për pesë vjet, në rastin më të mirë, dhe ndoshta nuk do ta merrnit fare. Shpresoj që t’u kujtohet të gjithëve”, shkroi Trumpi në një deklaratë.
Komentet e tij erdhën pas një organizimi ku presidenti Joe Biden njoftoi se do të porosisë 100 milionë doza të vaksinës për Covid-19 nga kompania “Johnson & Johnson”. Pas takimit që pati me shefin ekzekutiv të kësaj kompanie dhe të një kompanie tjetër, Bideni e vlerësoi lart bashkëpunimin mes tyre.
Bideni i çmoi edhe përpjekjet e administratës së tij për sigurimin e vaksinave, duke thënë se Shtetet e Bashkuara janë në rrugë të mirë për të siguruar doza për secilin amerikan të moshës së rritur deri në fund të majit, disa muaj më herët sesa është pritur.
Gjatë pushtetit të ish-presidentit Trump, Shtëpia e Bardhë e kishte nisur operacionin e quajtur “Operation Warp Speed”, i cili u vlerësua si shumë i rëndësishëm nga drejtori i Instituteve Kombëtare të Shëndetësisë, Francis Collins.
“Fakti që ne në dhjetor kemi pasur jo një, por dy vaksina që janë testuar dhe që janë vlerësuar si të sigurta dhe efektive nga një proces shumë rigoroz thjesht të lë pa frymë”, tha Collins.
(Kosova Sot Online)