Zyrtari i LDK’së e mohon se me Abdixhikun kanë diskutuar për Kryesinë: Ishte një takim për kafe
Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Imri Ahmeti ka mohuar se kjo parti të hënën ka mbajtur takim të Kryesisë, duke thënë se sot ishte një takim vetëm për kafe pas homazheve të bëra tek varri i ish-presidentit Rugova me kryetarin e zgjedhur të partisë, Lumir Abdixhiku.
Ahmeti në një deklarim për medie ka thënë se Kryesia e re ende s’është konstituar dhe i mbetet kryetarit të ri të ndërtojë agjendën.
“Është takim i rastit pas homazheve që patëm te presidenti Rugova dhe u kthyem me pi një kafe me kryetarin dhe një nej rasti asgjë më tepër. Për Kryesinë e re nuk u bisedua asgjë dhe do të vazhdojnë konsultimet e kryetarit me kryetarët e degëve dhe me njerëzit që ai mendon. Kryesia e re nuk është konstituuar ende dhe pritet që kryetari ta ndërtoj agjendën e vet për ta thirr Këshillin e Përgjithshëm e këshilli është organ që merr vendim për kryesinë”, tha Ahmeti.
Ai ka thënë se Këshilli i Përgjithshëm do të vendosë se kur do të ketë mbledhje të kryesisë.
(Kosova Sot Online)