Pas Suedisë, edhe një shtet tjetër i BE-së pezullon vaksinën që po e pret Kosova
Pas Suedisë, Letonia është shteti i fundit që mori vendim për pezullimin e vaksinës së kompanisë AstraZeneca kundër sëmundjes Covid-19.
Autoritetet në Letoni njoftuan se pezullimi do të zgjasë së paku dy javë. “Vendimi është i mbështetur në raportet prej shteteve të Bashkimit Evropian për tromboembolizëm dhe raste të ngjashme që janë vërejtur në kohë të ndryshme pas marrjes së vaksinës” tha agjencia shëndetësore e këtij vendi.
Megjithatë, kjo agjenci shtoi se ende nuk ka të dhëna për lidhje mes vaksinimit dhe problemeve serioze shëndetësore, shkruan Independent.
Të njëjtin vendim të martën e mori edhe Suedia, ndërsa Gjermania, Franca dhe Italia e pezulluan përdorimin e kësaj vaksine të hënën, pasi disa shtete tjera raportuan efekte anësore serioze, përfshirë mpiksjen e gjakut, ndonëse Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se nuk është gjetur lidhje mes kësaj vaksine dhe efekteve negative.
Fqinjet e Suedisë, Danimarka dhe Norvegjia, kanë raportuar raste të izoluara të gjakderdhjes, mpiksjes së gjakut dhe numrit të vogël të trombociteve pas marrjes së vaksinës së AstraZeneca-s.
(Kosova Sot Online)