Momentet e tmerrit nga djegia e shtypshkronjës së “Kosova Sot”, kjo ishte hakmarrja e Millosheviqit për bombardimet e NATO-s (Foto/Video)

  • G.g /
  • 24 March 2021 - 15:11
Momentet e tmerrit nga djegia e shtypshkronjës së “Kosova Sot”, kjo ishte hakmarrja e Millosheviqit për bombardimet e NATO-s (Foto/Video)

Ishte 11 marsi i vitit 1999, koha kur me urdhër të ish-ministrit të informacionit Aleksandër Vuçiq, duke shkelur të gjitha ligjet në fuqi, sado diskriminuese që ishin ato, pa ftesë, madje pa  mbajtur as edhe një seancë gjyqësore, regjimi serb përmes vendimit të Gjykatës së regjimit serb të instaluar në Prishtinë e dënoi gazetën “Kosova Sot” me dënim prej mbi 300 mijë DM për shkak të politikës editoriale të gazetës që përkrahte luftën çlirimtare në Kosovë. Ishte pikërisht mbulimi i aktiviteteve të luftëtarëve të UÇK-së, mbulimi i ofensivave nga vendi i ngjarjes dhe politika editoriale kundër regjimit të Milosheviqit ato veprime që bënë që gazeta “Kosova Sot” të bëhet halë në sytë e armikut  dhe madje kundërshtari NR. 1 i këtij regjimi vrastar, piroman e flakëvënës.

Por, hakmarrja e regjimit serb nuk u ndal me kaq. Ky regjim vazhdoi edhe me tej një luftë speciale ndaj gazetës “Kosova Sot”. Më 18 mars 1999, regjimi fashist serb i hodhi në aksion policinë dhe e ndaloi edhe fizikisht botimin e gazetës më të madhe në vend, “Kosova Sot”, ku gazeta u konfiskua në të gjitha pikat e shitjes në tërë Kosovën dhe rrjetit të shitjes iu konfiskuan gazetat edhe nëpër veturat shpërndarëse !

E kulmin e saj, lufta e regjimit serb të kriminelit, Sllobodan Millosheviq ndaj të përditshmes kosovare numër një, “Kosova Sot”, e arriti më 24 mars 1999.

Në ditën e parë  kur filluan bombardimet e NATO-s, vetëm dy orë pasi që filluan bombardimet, përgjigjja e regjimit të Milosheviqit vjen duke filluar me flakëvënien e djegien, shkatërrimin e mbi 3000 metrave katrorë të hapësirave të shtypshkronjës së gazetës ‘KOSOVA SOT’, me pajisjet më të avancuara në rajon, ku përveç gazetës shtypeshin shumica ose mbi 80% e librave dhe tërë dokumentacionit pedagogjik shkollor: ditarëve, librezave, indekseve dhe materialeve tjera shkollore në gjuhën shqipe.

Image

Pra, më 24 mars 1999 regjimi i Milosheviqit zgjodhi jorastësisht të parën pikërisht gazetën dhe shtypshkronjën e gazetës ‘KOSOVA SOT’, si cakun e parë për t`u hakmarrë kundër bombardimeve të NATO-s, pasi që roli dhe ndikimi i gazetës ‘KOSOVA SOT’ ishte një goditje shumë e madhe kundër regjimit kriminel serb të Milosheviqit. Dëmi i djegies ishte mbi 5 milionë euro dhe, edhe pse tanimë po bëhen 22 vjet dhe edhe përkundër që në gjykatë është dorëzuar padia kundër Serbisë për dëme të luftës, e njëjta as që është marrë parasysh dhe as nuk është shqyrtuar seriozisht nga gjyqësori i instaluar me arsyetimin se nuk janë kompetentë, duke  udhëzuar që padia të dërgohet në gjykatat e Serbisë në Beograd, ose të shkohet si i thonë fjalës popullore: "Cjapi të shkojë të Kasapi", edhe pse vendi i krimit është bërë në Prishtinë (Kosovë)!!!

Image

E djegien e shtypshkronjës së gazetës “Kosova Sot”, e ka filmuar edhe agjencia botërore e lajmeve, Associated Press.

Në kanalin e saj në youtube, AP ka publikuar momentin kur paramilitarët fashist serb ia vunë flakën shtypshkronjës së gazetës “Kosova Sot”. Rreth 40 ushtarë paramilitar të regjimit serb, më 24 mars 1999, në ora 20 kanë hyrë në shtypshkronjë dhe kanë vendosur bombola eksploduese brenda një muaji derisa është djegë në tërësi e gjithë shtypshkronja.

Image

Paramilitarët serb, vazhdimisht e kanë ruajtur vendin, në mënyrë që shtypshkronja e gazetës “Kosova Sot” të bëhet shkrumb e hi, gjë kjo e cila dëshmohet edhe në videon e publikuar nga AP, ku shihet ushtari serb duke bërë roje, teksa digjet shtypshkronja e gazetës “Kosova Sot”.

Më poshtë e gjeni videon, ku shihet se si paramilitarët serb dogjën shtypshkronjën e gazetës “Kosova Sot”.

https://www.youtube.com/watch?v=XJRVDbLK4lU&feature=emb_title

(Kosova Sot Online)