Ambasadori i Spanjës në Serbi: Nuk e njohim Kosovën vetëm se dikush na e kërkon

  • E. /
  • 29 March 2021 - 11:50
 Ambasadori i Spanjës në Serbi: Nuk e njohim Kosovën vetëm se dikush na e kërkon

“Qëndrimi i Spanjës ndaj territorit të Kosovës është akoma i njëjtë, nuk ka ndryshuar, Spanja nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe kjo është politika shtetërore”, tha ambasadori spanjoll në Beograd, Raul Bartolome për Novostin.

“Ne do ta pranojmë vetëm atë që e pranon edhe Serbia”, u përgjigj Bartolome në pyetjen në lidhje me pozicionin aktual të Spanjës mbi Kosovën dhe nëse ekziston mundësia që Madridi zyrtar ta konsiderojë njohjen e Kosovës si shtet.

Sipas Novostit, jo vetëm politikanët në Prishtinë, por edhe ata nga vendet e BE-së, gjithnjë e më shumë po u bëjnë thirrje pesë vendeve anëtarë të saj (Spanjës, Sllovakisë, Rumanisë, Qipros dhe Greqisë), të cilët nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, që ta bëjnë këtë.

Zëvendëskryeministri i Parë i Qeverisë së Maqedonisë Veriore, Artan Grubi, kohët e fundit i tha Vjosi Osmanit, e cila në atë kohë ishte ushtruese e detyrës së presidentes së Kosovës në Prishtinë se Maqedonia e Veriut do t’i kërkojë Spanjës ta njohë Kosovën.

I pyetur nëse kjo do të ndodhë ose nëse Spanja do ta konsiderojë për shqyrtim, ambasadori Bartolome u përgjigj shkurt se nuk ka asnjë informacion në lidhje me këtë.

Ambasadori spanjoll gjithashtu komentoi nëse dikush nga BE ndërmori veprime të ngjashme, me synim për ta ndryshuar pozicionin e saj dhe për ta njohur Kosovën si shtet.

“Sipas informacionit tonë – jo. Në çdo rast, Spanja nuk do të ndryshojë pozicionin e saj për çështjen e Kosovës, vetëm sepse një shtet na e kërkon këtë neve”, tha Bartolome.

(Kosova Sot Online)