BE reagon ashpër, dënon mohimin e gjenocidit të Srebrenicës

  • E. /
  • 29 March 2021 - 15:02
 BE reagon ashpër, dënon mohimin e gjenocidit të Srebrenicës

Bashkimi Europian ka bërë thirrje të mos relativizohet apo mohohet gjenocidi në Srebrenicë , duke kujtuar se zyrtarët në të gjitha shtetet që synojnë integrim në BE duhet të jenë të gatshëm të respektojnë vlerat europiane, përfshirë trajtimin me respekt të viktimave të gjenocidit dhe krimeve të luftës.

Reagimi i Brukselit erdhi pas një deklarate të ministrit të Drejtësisë dhe Pakicave në Mal të Zi, Vladimir Leposavic, i cili pyetjes së një deputeti nëse ishte i gatshëm të pranonte që në Srebrenicë ka ndodhur genocide, iu përgjigj duke thënë se nuk mund të njihte një ngjarje “për të cilën nuk ka njohuri”.

Leposavic u shpreh se do të pranonte krimet në Srebrenicë “kur kjo të vërtetohet përtej çdo dyshimi”.

“Bashkimi Evropian refuzon dhe dënon çfarëdo mohimi, relativizmi apo keqinterpretimi të gjenocidit në Srebrenicë. Vitin e kaluar shënuam 25 vjetorin e genocidit në Srebrenicë, një prej kapitujve më të errët në historinë moderne të Europës.

Është koha që të gjithë liderët politikë në rajon të udhëheqin rrugën drejt respektimit të viktimave dhe promovojnë pajtimin”, thuhet në qëndrimin e BE-së.Në të njëjtën deklaratë rikujtohet se unioni “është bashkim i vlerave” dhe se “mohimi i fakteve të dëshmuara dhe dokumentuara mirë për ngjarjet e luftës, përfshirë edhe krimet e luftës, shkojnë kundër themeleve të këtyre vlerave”.

(Kosova Sot Online)