Blerim Shala: Përveç ndryshimit të Kushtetutës, Qeveria Kurti mund të bëjë çfarë të dojë

  • E. /
  • 05 April 2021 - 11:55
 Blerim Shala: Përveç ndryshimit të Kushtetutës, Qeveria Kurti mund të bëjë çfarë të dojë

Opinionisti Blerim Shala ka thënë se 4 prilli i vitit 2021, në historinë e demokracisë parlamentare të Kosovës, do të shënohet si ditë kur një lider politik , dhe një parti politike, arritën të vendosin pushtetin absolut politik në Kosovë.

Shala ka shtuar se me përjashtim të ndryshimit të Kushtetutës së Kosovës, pushteti i ri në vend,  realisht, mund të bëjë çfarë të dojë në politikën kosovare.

“Zgjedhja e Vjosa Osmanit si Presidente e Republikës së Kosovës, me votën e 71 deputetëve  në Kuvend, (në mesin e të cilëve janë gjetur edhe deputetë të opozitës parlamentare), të  dielën e Pashkëve, rrumbullakësoi fitoren zgjedhore të 14 shkurtit të Lëvizjes  ‘Vetëvendosje’. Tani, tri postet kryesore në Kosovë, ai i Presidentit, Kryeministrit dhe  Kryetarit të Kuvendit, i takojnë një entiteti të vetëm zgjedhor, apo Listës së  ‘Vetëvendosjes’ (koalicionit të Partisë së Albin Kurtit dhe Nismës qytetare të Vjosa  Osmanit)”.

“Me përjashtim të ndryshimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, pushteti i ri në vend,  realisht, mund të bëjë çfarë të dojë në politikën kosovare, mund ta reformojë thelbësisht  legjislacionin në Kosovë (nëse nuk preken parimet themelore të Kushtetutës), dhe mund  ta sendërtojë pa kurrfarë problemi dhe rezistence opozitare Agjendën e vete politike, në  katër vitet e mandatit të vet, i cili mund të kontestohet, në aspektin kohor dhe politik, vetëm  nëse vet Albin Kurti vendos të shkojë në zgjedhjet e reja të parakohshme parlamentare”.

Sipas tij, ky do të jetë një test i ri, i madh, i pashoq, për demokracinë  kosovare, për skenën politike të vendit, për shtetin e Kosovës, për të gjithë ne.

(Kosova Sot Online)