
Lexoni edhe:
Gazetari gjerman: Kurti nuk u zgjodh për “Shqipërinë e Madhe”, por për ta reformuar Kosovën
Durimit të protestuesve kundër qeverisë ushtarake në Birmani duket se i ka ardhur fundi. Ata filluan që të luftojnë me armë gjuetie kundër ushtarëve, ndonëse së paku 11 protestues u vranë, raportuan mediet lokale të enjten.
Fillimisht, gjashtë kamionë me ushtarë u dërguan për t’i qetësuar protestuesit në qytezën Taze. Kur protestuesit reaguan duke luftuar me pushkë, thika e bomba zjarri, pesë kamionë të tjerë me përforcime u dërguan në atë zonë.
Luftimet vazhduan edhe të enjten në mëngjes dhe së paku 11 protestues u vranë e rreth 20 të tjerë u lënduan, raportuan mediet lokale. Nuk pati raportime për të vrarë apo të plagosur në radhët e ushtrisë, shkruan Reuters.
Sipas raportimeve, viktimat e reja e kanë çuar në mbi 600 numrin e përgjithshëm të të vrarëve që nga marrja e pushtetit me forcë nga ushtria dhe rrëzimi i qeverisë së zgjedhur në mënyrë demokratike të zonjës Aung San Suu Kyi.
Taze ndodhet afër qytezës Kale, ku së paku 11 persona u vranë në një përleshje të ngjashme mes protestuesve e ushtrisë të mërkurën. Forcat e sigurisë raportohet të kenë përdorur plumba të vërtetë, granata dhe mitraloza kundër protestuesve që po e kërkojnë kthimin në pushtet të qeverisë së zgjedhur nga votuesit.
(Kosova Sot Online)