KEDS fillon investimet masive në rrjetin elektrik të Klinës

  • E. /
  • 26 April 2021 - 14:19
 KEDS fillon investimet masive në rrjetin elektrik të Klinës

KEDS po vazhdon investimet me të madhe në Klinë. Vetëm sivjet, atje do të investohen rreth 800 mijë euro në rrjetin elektrik. Rrjetit i tensionit të ulët dhe të mesëm po rikonstruohet dhe po zëvendësohet me rrjet tërësisht të ri. Kjo do të ndikojë drejtpërdrejt në shërbime më kualitative të energjisë elektrike për banorët e asaj ane.

Nga këto investime, përpos qendrës së qytetit, ku do të vendoset një stabiliment tërësisht i ri, do të përfitojnë edhe fshatrat: Kërrnicë, Perçevë, Dollc, Leskoc, Restoka, Gjurgjeviku, Sfërrka, Krusheva e Madhe, Krusheva e Vogël, Gllareva dhe Ujmiri.

Gjendja e rrjetit të vjetërsuar në këto zona ka bërë që konsumatorët në të kaluarën të ballafaqohen me vështirësi të furnizimit kualitativ me energji elektrike. Krahas kësaj, në këto fshatra në vazhdimësi është rritur edhe kërkesa për furnizim duke bërë që trafostacionet ekzistuese shpeshherë të mbingarkohen. Shtyllat e vjetra kanë qenë të vendosura në zona vështirë të casshme, sikurse në oborre apo fusha derisa me investimet e reja, ato do të barten përskaj rruge.

Përmes planit investiv të KEDS, parashihet që përpos vendosjes së trafostacioneve të reja me kapacitete të nevojshme furnizuese, të zëvendësohen edhe qindra shtylla dhe të shtrihen qindra metra kabllo e re.

KEDS edhe në të kaluarën ka investuar në rrjetin elektrik të Klinës. Vitin e kaluar kompania ka investuar mbi 170 mijë euro në linjat e tensionit të mesëm dhe të ulët nga të cilat kanë përfituar qindra konsumatorë.

Këto investime tregojnë përkushtimin e kompanisë për përmbushjen e premtimeve dhe vendosmërinë për të qenë sa më afër konsumatorit.

(Kosova Sot Online)