Lexoni edhe:
Vuçiqi tha jo, por Daçiqi dyshon: Eichhorst mund ta ketë shkruar “non-paper”-in duke u konsultuar me dikë
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) si pjesë e projektit “Avancimi i të Drejtave të Grave në Punë”, financuar nga Bashkimi Evropian dhe bashkë financuar nga Bashkëpunimi Suedez për Zhvillim, në bashkëpunim me Rrjetin e Grave në Kosovë ka publikuar raportin “(Pa)Drejtësia dhe Diskriminimi me Bazë Gjinore në marrëdhëniet e punës”.
Menaxheri i Programit në IKD, Yll Zekaj në hapje të kësaj tryeze tha se ky raport del si rezultat i monitorimit sistematik të seancave gjyqësore nga IKD dhe analiza e drejtpërdrejtë të aktgjykimeve dhe anketave të zhvilluara me gjyqtarë, avokatë dhe palë të përfshira në këtë proces.
Hulumtuesja nga IKD, Gzime Hashani fillimisht prezantoi gjetjet e përgjithshme, të cilat i atribuoheshin kontesteve të punës ku palë kanë qenë si gratë, ashtu edhe burrat.
Me këtë rast, Hashani tha se sistemi i drejtësisë nuk po i përgjigjet kërkesave kushtetuese dhe ligjore për mbrojtjen e të drejtave nga marrëdhënia e punës.
Hashani tha se përkundër faktit se cenimi i të drejtave nga marrëdhënia e punës ndëshkohet penalisht përmes një kapitulli të veçantë në Kodin Penal, Prokurori i Shtetit është pothuajse pasiv në drejtim të mbrojtjes së këtyre të drejtave, për më tepër ky institucion nuk gjeneron fare të dhëna lidhur me veprat penale të vrasjeve sa i përket veprave penale që ndërlidhen me marrëdhënien e punës.
Hashani gjatë kësaj tryeze tha se një numër i madh i punonjësve në sektorin privat në Kosovë, nuk janë të pajisur me kontratë të punës, rrjedhimisht punëdhënësit i shmangen kryerjes së obligimeve ndaj punëmarrësve, të cilat rrjedhin nga marrëdhënia e punës, fakt ky i cili vërtetohet nga numri i madh i lëndëve të cilat vijnë në gjykatë dhe që kanë objekt pikërisht mos respektimin e obligimeve nga marrëdhënia e punës nga ana e punëdhënësve.
Sipas Hashanit, numri i madh i padive që kanë për objekt kontestet nga marrëdhënia e punës flet për një nivel të lartë të shkeljeve të të drejtave të punëtorëve nga punëmarrësit.
E gjetur tjetër e raportit të publikuar sipas Hashanit është edhe mungesa e sigurisë në punë dhe zvarritja e proceseve gjyqësore.
Ajo tha se gjatë monitorimit të kontesteve gjyqësore që rrjedhin nga marrëdhënia e punës, IKD ka gjetur se ka zvarritje të vazhdueshme në trajtimin e këtyre kontesteve nga ana e gjykatave, ku kjo zvarritje shkon deri në 10 vjet.
Sipas Hashanit, përkundër zvarritjes së rasteve në masë të madhe, raste të caktuara ku subjekte të procedurës kanë qenë persona publik janë trajtuar në mënyrë selektive duke u zgjidhur brenda afateve optimale.
Autorja tjetër e këtij raporti, Arrita Rezniqi ka thënë se përkundër kornizës ligjore të përafruar me standardet e Bashkimit Evropian, sfida më e madhe në trajtimin e marrëdhënieve të punës, mbetet aspekti praktik.
Rezniqi tha se gratë shpesh ballafaqohen me diskriminim në marrëdhënie pune dhe për më tepër të gjitha shkeljet e tilla jo çdo herë trajtohen dhe adresohen në mënyrë të drejtë nga ana e institucioneve përkatëse, duke ndikuar kështu drejtpërdrejt pastaj në dekurajimin e grave të tjera për raportimin dhe realizimin e të drejtave të veta në procedurë.
Sipas saj, ndonëse shkalla e diskriminimit të grave mbetet shqetësuese, në praktikë nuk është gjetur asnjë rast ku gjykatat kanë vendosur mbi diskriminimin në bazë të Ligjit mbi Diskriminim, diçka e tillë veçanërisht ndodhë për shkak se edhe në ato raste ku veç përmendet se ekziston diskriminim, kërkesëpadia nuk ka përmbajtur diçka konkrete në këtë drejtim.
Rezniqi tha se sa i përket afatit kohor të trajtimit të këtyre rasteve të analizuara, IDK ka gjetur se mesatarja kohore e trajtimit të këtyre rasteve prej ditës së paraqitjes së padisë e deri në ditën e marrjes së vendimit përfundimtar nga Gjykata e Apelit, mesatarisht kalojnë 1,599 ditë apo më shumë sesa 4 vjet.
Pjesë e kësaj tryeze ishte edhe gjykatësi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Alajdin Tërshnjaku i cili tha se sa i përket infrastrukturës ligjore lidhur me marrëdhëniet e punës nuk ka ndonjë vërejtje pasi që legjislacioni është i mjaftueshëm në këtë fushë.
“Gjatë leximit te këtij raporti mendoj qe është iniciative e qëlluar pasi ndihmon në ngritjen e vetëdijes dhe vetëdijesimin e palëve në këtë rast, grave kur hasen rastet të tilla siç janë rastet e diskriminimit në punë, gjatë parashtrimit të padive në gjykatë ato mund ti paraqesin bazën juridike qe ndaj tyre ka diskriminim d.m.th. që janë të diskriminuara në atë punë” tha gjykatësi Tërshnjaku.
Sa i përket diskriminimit, gjykatësi Tërshnjaku tha se në rastet që kanë trajtuar, palët nuk kërkojnë të konstatohet fare diskriminimi vetëm pretendojnë se janë diskriminuar duke kërkuar kthim në punë.
Ndërsa, për vonesën në trajtimin e rasteve, gjykatësi deklaroi se gjykata është e ngarkuar me një numër të madh të lëndëve dhe për trajtimin e tyre nuk ka kapacitete të mjaftueshme.
Tërshnjaku tha se do të duhej të theksohej edhe fakti që palët pas fitimit të rastit në procedurë kontestimore, po paraqiten probleme në zbatimin e atyre vendimeve nga ana e institucioneve.
Sa i përket sektorit privat, gjykatësi theksoi se është shumë vështirë për gjykatën të vërtetoj gjendjen faktike në rastet kur marrëdhënia e punës nuk është e formalizuar, apo nuk është e formalizuar si duhet, pasi që sipas tij ka raste kur kontratat lidhen me vlera të vogla me qëllim që punëdhënësi t’i shmanget pagesës së obligimeve ndaj shtetit.
I ftuar në këtë tryezë në cilësinë e penalistit ishte edhe avokati Florim Shefqeti, i cili tha se pajtohet me gjetjet e këtij raporti dhe se duke parë nga praktika të gjitha janë reale.
Ai tha se sistemi jonë i drejtësisë ka disa të meta të cilat sipas tij kanë të bëjnë me aspektin legjislativ, duke ju referuar Ligjit të Punës, pasi që ato dispozita janë jashtë çdo kohe dhe jashtë avancimit të teknologjisë.
Sa i përket Kodit Penal ai tha se është i pastër në këtë kuptim të inkriminimit të veprave penale kundër marrëdhënies së punës.
Shefqeti ishte kritik ndaj ligjit aktual me të cilin rregullohet puna e Inspektoratit të Punës i cili sipas tij është ligj i vjetër pa përmbajtje, ka mangësi dhe zbrazëtira juridike.
Problematikë tjetër sipas avokatit Shefqeti është mos caktimi i masave të sigurisë nga ana e gjykatës, pasi që sipas tij kjo ndikon në parandalimin e shkeljeve.
Adelina Tërshani nga Rrjeti i Grave të Kosovës tha se problematikë e diktimimit të grave në vendin e punës është edhe mos raportimi në institucionet përkatëse.
Ajo tha se Rrjeti i Grave të Kosovës, në vitin 2019 kishte zhvilluar një hulumtim i cili kishte të bënte me diskriminimin në baza gjinore në tregun e punës në Kosovë edhe në të cilin ishte evidentuar që diskriminimi është shumë i përhapur veçanërisht kur grave ju shkelen te drejtat për pushimin e lehonisë, për promovim në detyrë, për pagesë të barabartë për punë të barabartë e drejta për siguri në punë, madje sipas saj shumë gra përballen me ngacmim seksual në vendin e punës e shkaktuar nga eproreve tyre ose nga koleget e punës.
Sipas Tërshanit, disa prej arsyeve që gratë e intervistuara në raportin e tyre i kishin paraqitur kanë qenë mosbesimi në institucione, mungesa e anonimiteti, përballja me procedura te stërzgjatura edhe shumë herë të shtrenjta burokratike, vështirësi në dokumentimin e rasteve edhe gjitha këto e kanë bërë shumë ma të vështirë më gjete raste të cilat janë të raportime në institucione.
Ajo theksoi se bashkëpunimi me Institutin e Kosovës për Drejtësi ka qenë i frytshëm dhe se pajtohet me të gjitha rekomandimet që kanë dal prej raportit dhe se sipas saj duhet të punohet në vazhdim për t’i quar përpara këto rekomandime.
Në këtë tryezë ishin prezent edhe gjyqtarë nga Departamenti për Çështje Administrative të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe përfaqësues të organeve të përfshira në këtë raport të cilët u bënë pjesë e diskutimit.
(Kosova Sot Online)