Lexoni edhe:
Sot dhe nesër pushim për punëtorët e institucioneve shtetërore
Ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, është liruar për vizitë nga Haga ku po mbahej në paraburgim si i dyshuar për krime lufte.
Veseli është liruar për ta vizituar babanë e tij i cili ndodhet në spital në gjendje të rëndë shëndetësore.
Me t’u kthyer në Kosovë, Veseli ka vizituar spitalin e Mitrovicës “Dr.Sami Haxhibeqiri”, derisa i njëjti është ruajtur nga forca të shumta të sigurisë, përfshirë Policinë e Eulex-it.
Sot dhe nesër pushim për punëtorët e institucioneve shtetërore Lexoni edhe:
Informacionin për vizitën e Veselit e ka konfirmuar zëdhënësja e Dhomave të Specializuara, Angela Griep.
Në një përgjigje me shkrim, zëdhënësja e Speciales tha se për shkak të arsyeve bindëse humanitare, gjyqtari i procedurës paraprake ka udhëzuar Zyrën e Regjistrimit që të menaxhojë vizitën e Veselit në Kosovë.
“Për shkak të arsyeve bindëse humanitare, gjyqtari i procedurës paraprake ka udhëzuar Zyrën e Regjistrimit që të menaxhojë një vizitë kujdestarie në Kosovë për të takuar familjen e ngushtë”. I akuzuari mbetet në paraburgim të Dhomave të Specializuara. EULEX dhe Policia e Kosovës po mbështesin Dhomat e Specializuara të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Speciales.
Media ka raportuar se babai i Kadri Veselit ka pësuar sulm në tru dhe se tani është i shtrirë në spitalin e neurologjisë dhe është në gjendje të rëndë shëndetësore.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka thënë dje se nuk janë në dijeni që ish kryetari i kësaj partie, Kadri Veseli është kthyer në Kosovë këtë të diel.
“Ne në PDK nuk kemi një informatë të tillë”, është përgjigjur Deliu-Kodra.
Qytetarët ndërkaq kanë treguar për momentin kur e takuan Veselin gjatë vizitës së tij në spitalin e Mitrovicës.
“Unë kam qenë te prindi, e kam prindin pa qef, dhe e pashë kur erdhi Kadri Veseli me 7-8 truproja të Eulexit, e pashë dhe tentova me i folë, na përshëndeti, pata respekt për të”, tha një qytetar që kishte rastisur në oborrin e spitalit ato momente.
Një tjetër qytetare ka treguar se e ka parë Veselin duke folur e buzëqeshur dhe i kanë uruar mirëseardhje.
“Sot rastësisht unë dola në korridor dhe i pashë dy policë civil, njëri i kishte prangat prapa dhe ia kërkoi letërnjoftimin familjarëve të Kadri Veselit. Kur dola, po e shoh Kadri Veselin, duke buzëqeshur duke folur, truprojat kanë qenë në krejt repartin e spitalit. Kur ka ardhe i kemi thënë “Mirësekeardhur”, por nuk e kanë leju gjatë me kontaktu”, ka treguar ajo
Kujtojmë se në fillim të nëntorit të vitit të kaluar, u arrestuan dhe u dërguan në Hagë katër ish-udhëheqësit politikë e ushtarakë të UÇK-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kreyparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-ministri i qeverisë së përkohshme, Rexhep Selimi.
Më 4 nëntor, ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi u arrestua dhe u dërgua për në paraburgimin e Speciales. Për në të njëjtin destinacion, me një avion ushtarak, të nesërmen u nisën edhe ish-bashkëpunëtorët e tij në luftë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.
Arrestimet erdhën pasi një gjyqtar i procedurës paraprake i Gjykatës Speciale, kishte konfirmuar aktakuzat ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Aktakuza i bën përgjegjës Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin për një sërë krimesh që pretendohet se janë kryer në disa qendra ndalimi gjatë viteve 1998-1999. Prokuroria e Specializuar i akuzon ata edhe se kanë qenë ose duhej të ishin në dijeni të këtyre krimeve.
(Kosova Sot Online)