Lexoni edhe:
Media e afërt me Vuçiqin: Kryeprokurori i Speciales i tha BE-së se po shkatërrohen provat dhe po zhduken dëshmitarët
Një burrë në një lagje në qytetin e Bernës ka sulmuar verbalisht dhe fizikisht fqinjët për muaj me radhë. Deri më tani, ai e ka injoruar vendimin që i është dhënë për të lëshuar banesën.
Ka pasur vazhdimisht mosmarrëveshje midis qiramarrësve. Fqinji, i cili flet për gazetën “Berner Zeitung”, këtë të keqe nuk ia dëshiron “as armikut më të keq”.
73-vjeçari, i cili jeton në një bllok prej 17 banesash, ka terrorizuar banorët që nga vera e kaluar, sipas një padie penale të bërë ndaj tij.
I moshuari ka kërcënuar një grua me vdekje dhe në mënyrë të përsëritur ka vendosur pranë derës së saj pusulla me sharje të ndryshme nga të cilat emërtimi “shtrigë” ishte më i buti.
Edhe një burrë nga Kosova gjithashtu kishte gjetur disa herë një pusullë në xhamin e makinës së tij, ku shkruante: “Makroja nga Prishtina”.
Po ashtu, përmes një pusulle, ai i kishte thënë një fqinji tjetër se “gruaja e tij tajlandeze” kishte marrëdhënie seksuale me burra të tjerë.
Por ai nuk ishte ndalur në devijimet verbale. Ai po ashtu kishte goditur një fqinje në banesën e saj dhe gjithashtu i kishte vjedhur asaj djathë Gruyère nga frigoriferi. Veprimet e tij kanë rezultuar në ndërhyrje të panumërta policore dhe thirrje ankesash.
Veprat penale për të cilat ai akuzohet (kërcënime, ofendime, sulme) i kushtojnë personit që ka problem alkooli, gjithsej 5800 franga. Ai ka kohë që ka marrë njoftim për lëshim të banesës nga pronari i shtëpisë, por ai nuk ka vepruar edhe pse afati i ka kaluar në fund të shkurtit.
Gjykata më në fund miratoi kërkesën për dëbim, që do të thotë: Nëse ai sërish lejon që ky afat të kalojë, policia do të shkojë për herë të fundit që ta marrë atë dhe ta dëbojë./albinfo.ch
(Kosova Sot Online)