Del në shitje vera franceze që qëndroi në hapsirë për një vit, ka çmim marramendës

  • E. /
  • 08 May 2021 - 09:38
Del në shitje vera franceze që qëndroi në hapsirë për një vit, ka çmim marramendës

Një shishë me verë franceze, që bëri orbitë rreth Tokës për më shumë se një vit, është vënë në shitje për një çmim marramendës.

Shishja e verës “Petrus 2000”, e prodhuar nga një lloj i rrushit të zi në rajonin e njohur francez për prodhimin e verës, Bordeaux, qëndroi 14 muaj në orbitën e Tokës si pjesë e një studimi të financuar privatisht për ushqimin dhe bujqësinë.

Të martën, shtëpia e ankandeve “Christie’s” njoftoi se vera tashmë është e gatshme për shitje private. Çmimi i pritshëm është 1 milion dollarë apo rreth 830 mijë euro, shkruan BBC.

Tim Triptree, mjeshtër i verës që punon në këtë shtëpi të ankandeve, i tha BBC-së se edhe një shishe e rëndomtë me verë “Petrus 2000” do të shitet bashkë me shishen që ka qenë në orbitë, në mënyrë që blerësi të ketë mundësi për ta bërë krahasimin mes dy pijeve në dy shishet.

Kompania “Space Cargo Unlimited” dërgoi 12 shishe verë në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës në nëntor të vitit 2019. Pas më shumë se 400 ditësh në hapësirë dhe udhëtimit për rreth 300 milionë kilometra në gravitet zero, vera u kthye në Tokë në janar të këtij viti.

Shkencëtarët e analizuan atë dhe një grup e pati mundësinë që ta shijojë verën në mars të këtij viti. Jane Anson, gazetare, ishte në mesin e tyre. “Është vështirë të them nëse ishte më e mirë apo më e keqe, por definitivisht ishte ndryshe”, deklaroi ajo.

(Kosova Sot Online)