Merret vendimi për Vali Carleonen

  • G.g /
  • 12 May 2021 - 14:40
Merret vendimi për Vali Carleonen

Prince Valentino Corleone, i njohur ndryshe si Vali Corleone, është dënuar me 5,200 euro gjobë për veprën penale të armëmbajtjes pa leje dhe atë të posedimit të paautorizuar të substancës narkotike.

Fillimisht, i akuzuari Corleone u dënua me 1,600 euro gjobë për armëmbajtje pa leje, kurse me 6 muaj burgim dhe 800 euro gjobë për posedim të narkotikut, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mirëpo me kërkesë të mbrojtëses së tij, avokates Adelina Sherifi, dënimi me burg iu zëvendësua në dënim me gjobë në shumën prej 2,800 euro. Kësisoj, për posedim të narkotikut Corleone u dënua në total me 3,600 euro gjobë.

Aktgjykimi u shpall nga gjykatësi i Gjykatës Themelore në Gjilan, Aziz Shaqiri.

Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur në po të njëjtën ditë, i akuzuari Corleone e ka pranuar fajësinë për dy veprat penale.

Prokuroria Themelore në Gjilan, më 11 maj 2021, ka përpiluar aktakuzë kundër Prince Valentino Corleone, me arsyetimin se i njëjta ka kryer veprat penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK) dhe “posedim i paautorizuar i substancave narkotike, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 269, paragrafi 1 të KPRK-së.

Sipas dispozitivit të parë të aktakuzës, i akuzuari Corleone, me 14 prill 2021, rreth orës 16:00 minuta, në shtëpinë e tij në Gjilan, në kundërshtim me ligjin për armët, ka mbajtur një armë automatike të llojit “Scorpion”, me pesë karikatorë dhe 118 fishekë të kalibrit 7.65 mm, të cilat janë konfiskuar me rastin e kontrollimit nga ana e zyrtarëve policorë.

Kurse sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, i akuzuari Corleone, me datë, kohë dhe vend të njëjtë si në dispozitivin e parë, pa autorizim ka poseduar substancë narkotike dhe atë tetë të llojit “cocainë”, me peshë prej 2.77 gram, e cila është gjëtur me rastin e kontrollimit nga ana e zyrtarëve policorë në dhomën e tij të ndejës, në tavolinë, me ç’rast edhe i është sekuestruar.

(Kosova Sot Online)