Frikë nga sulmet, kompanitë botërore anulojnë fluturimet drejt Izraelit
Disa kompani të njohura të fluturimeve po i anulojnë fluturimet drejt Izraelit shkaku i frikës nga eskalimi i përleshjeve të armatosura mes ushtrisë izraelite dhe militantëve palestinezë në Gaza.
Kompanitë “Lufthansa”, “British Airways”, “American Airlines”, “United Airlines” dhe “Delta Air Lines” i kanë anuluar fluturimet e tyre drejt Izraelit pas disa ditëve me sulme ajrore të Izraelit dhe sulmeve me raketa nga palestinezët.
“Delt Air Lines” anuloi së paku gjashtë fluturime mes Aeroportit Ndërkombëtar të Nju Jorkut “John F. Kennedy” dhe Tel Avivit të mërkurën dhe të enjten, sipas një zëdhënëseje të kësaj kompanie.
Kompania “American Airlines” gjithashtu i ka anuluar fluturimet mes këtij aeroporti dhe Tel Avivit deri të shtunën, tha një zëdhënës. Ndërkohë të njëjtën gjë e ka bërë edhe kompania “United Airlines”.
Kompania “British Airways” njoftoi se i ka anuluar fluturimet e planifikuara mes Londrës dhe Tel Avivit për ditën e enjte. “Siguria e kolegëve dhe klientëve tanë është gjithnjë prioriteti ynë kryesor dhe ne po vazhdojmë që ta vëzhgojmë gjendjen për së afërmi”, thuhet në njoftimin e kësaj kompanie.
Kompania gjermane, “Lufthansa”, i ka anuluar fluturimet drejt Izraelit deri të premten, por pritet që fluturimet të rifillojnë nga e shtuna.
Ndryshe, siguria e aeroplanëve civilë që fluturojnë afër zonave të konfliktit është bërë çështje e ndjeshme, pasi Irani gabimisht rrëzoi një aeroplan pasagjerësh të Ukrainës në janar të vitit të kaluar, duke lënë të vdekur 176 persona.
(Kosova Sot Online)