Vazhdojnë bombardimet në Gaza, rritet numri i viktimave

  • 15 May 2021 - 08:31
Vazhdojnë bombardimet në Gaza, rritet numri i viktimave

Aeroplanët luftarakë izraelitë i vazhduan sulmet ajrore edhe të shtunën në mëngjes, ndërsa militantët e Hamasit u kundërpërgjigjën me hedhjen e raketave në drejtim të Izraelit.

Mjekët palestinezë thanë se së paku 12 persona u vranë gjatë natës nga sulmet ajrore në Gaza. Zyrtarët shëndetësorë thanë se në mesin e të vdekurve janë edhe një grua dhe tre fëmijët e saj, pasi shtëpia e tyre u godit në një kamp refugjatës.

Ushtria izraelite tha se ka kryer sulme mbi një ndërtesë të inteligjencës ushtarake të Hamasit dhe mbi disa vende për hedhjen e raketave në pjesën veriore të Gazës, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Në anën tjetër, Ministria për Çështje Fetare në Palestinë tha se aeroplanët izraelitë kanë shkatërruar një xhami. Një zëdhënës ushtarak tha se ushtria është duke e kontrolluar këtë raportim. Matanë kufirit, sirenat e alarmit u aktivizuan në pjesë të mëdha të Izraelit jugor, duke bërë që banorët të kërkonin strehim. Në qytetet Beersheba dhe Ashdod, ndërtesat u goditën nga raketat. Nuk ka pasur raportime për të lënduar.

Së paku 132 persona janë vrarë në Gaza nga e hëna, përfshirë 32 fëmijë dhe 21 gra, ndërsa 950 të tjerë kanë pësuar lëndime, thanë zyrtarët mjekësorë palestinezë.

Ndërkohë autoritetet izraelite thanë se në mesin e tetë të vrarëve deri më tani janë një ushtar që patrullonte në kufi dhe gjashtë civilë, përfshirë dy fëmijë.

(Kosova Sot Online )