Protestohet para ministrisë së Arsimit, shkak ngacmimi seksual ndaj të miturës në Prishtinë

  • G.g /
  • 17 May 2021 - 12:46
Protestohet para ministrisë së Arsimit, shkak ngacmimi seksual ndaj të miturës në Prishtinë

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka protestuar para Ministrisë së Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në lidhje me rastin në një shkollë fillore në Prishtinë

Fjolla Muçaj, organizatore tha se tasti i fundit të ndodhi në shkollën fillore, ka treguar edhe një herë realitetin e frikshëm me të cilin rriten vajzat në Kosovë.

Madje sipas saj Abuzimi seksual i vajzave në shkolla është çështje urgjente me të cilën duhet të merremi të gjithë.

“Rasti i fundit të ndodhi në shkollën ‘Faik Konica’, ka treguar edhe një herë realitetin e frikshëm me të cilin rriten vajzat në Kosovë. E ky realitet, ku rreziku për abuzime seksuale është i vazhdueshëm, vjen pikërisht për shkak të dështimit shoqëror e institucional për ta trajtuar dhunën ndaj vajzave e grave si problem serioz dhe shqetësim për sigurinë publike”, ka deklaruar ajo.

“Patriarkaliteti i institucionalizuar është duke ua rrezikuar të drejtën për shkollim e rritje të shëndoshe fëmijëve nëpër shkolla. Kjo pasiqë, institucionet tona kanë dështuar vazhdimisht të nxjerrin politika te mirëfillta të cilat do ta trajtonin me seriozitet dhunën seksuale që u ushtrohet vajzave, duke mos e njohur fare prezencën e këtij fenomeni dhe nevojën për ta trajtuar”, ka deklaruar Muçaj.

Ajo ka paraqitur edhe kërkesat e tyre e që ishin: Futja e edukatës seksuale në shkolla; Ambiente të sigurta për nxënëset/it dhe Punësimi i punëtoreve/ëve sociale dhe psikologeve/ëve në të gjitha shkollat.

“Andaj, ne sot duam ta kthejmë vëmendjen te ministria dhe t’ua bëjmë edhe një herë me dije që këtij neglizhimi institucional duhet t’i vije fundi dhe që jeta e siguria e vajzave në shkolla është në rrezik dhe si të tillë duhet adresuar përmes politikave të mirëfillta e të drejta gjinore. Prandaj, kërkesat tona janë të qarta: 1. Futja e edukatës seksuale në shkolla; 2. Ambiente të sigurta për nxënëset/it; 3. Punësimi i punëtoreve/ëve sociale dhe psikologeve/ëve në të gjitha shkollat. Ne nuk do të ndalemi deri sa të realizohen këto tri kërkesa. Deri sa vajzat dhe gratë të jetojnë të lira noa çfarëdo lloj dhune dhe kontrolli, kudo që ato janë”.

Përderisa Policia e Kosovës ka reaguar pas publikimit të një videoje në disa media, sipas së cilës pretendohet se ka ndodhur një rast i abuzimit seksual në mes të nxënësve në oborrin e një shkolle në kryeqytet.

Në njoftimin e Policisë thuhet se nga zyrtarët e shkollës Policia ka pranuar një informacion me ndjeshmëri, i cili është trajtuar në koordinim me drejtuesit e shkollës, zyrtarët e Qendrës për punë dhe mirëqenie Sociale si dhe Prokurorin e shtetit.

(Kosova Sot Online)